Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në mbledhjen mes dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, u shpreh se parlamenti shqiptar duhet të miratojë rezolutën për gjenocidin serb.
Bardhi komentoi dhe marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se “vëllai i jep këshillë vëllait pa e dëgjuar lagjja, por në shtëpi, në mënyrë që të mos e dëgjojë njeri”.
Ndër të tjera, demokrati tha se Është detyra jonë, e Shqipërisë për t’i kujtuar botës që pavarësia e Kosovës nuk është e negociueshme.
“Nuk kam ndërmend të thyej traditën e shqiptarit, të kthej këtë mbledhje të sotme të dy kuvendeve tona në një transformim të luftës sonë të brendshme në Shqipëri. Mund të flisja si janë marrëdhëniet mes dy vëllezërve, Kosovës dhe Shqipërisë po nuk e kthej në fushatë elektorale, apo të përdor Kosovën në fushatë elektorale. Nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do e bëjmë kurrë. Ne shqiptarët kemi një traditë. Vëllait nuk ia themi kurrë këshillën në lagje, vëllait këshillën ia themi në shtëpi, me zë të ulët që të mos e dëgjojnë të tjerët. Është një thikë pas shpine për vëllain tonë, Kosovën tonë të dashur.
Sot mblidhemi këtu si një moment për të reflektuar atë që kem i arritur. Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë një vizion ku të rinjtë tanë gjejnë mundësi brenda atdheut të tyre. Është detyra jonë e përbashkët. Për ta arritur këtë duhet të qëndrojmë bashkë.
Qëndrojmë fuqishmit kundër masave dhe sanksioneve të Kosovës. Ato paralizojnë Kosovën për të qenë një shtet i barabartë. Veprime të tilla rrezikojnë të kthejnë dialogun në akt presioni dhe asnjë paqe e qëndrueshme në botë s’mund të ndërtohet në parim të pabarazisë. Është detyra jonë, e Shqipërisë për t’i kujtuar botës që pavarësia e Kosovës nuk është e negociueshme. Thënë kjo dua të theksoj se për Shqipërinë, Kosova është dhe mbetet ylli polar i politikës sonë të jashtme.
Le të jetë ky moment një pikë kthese, propozimi ynë është që kjo të jetë mbledhja e fundit formale, por të kalojmë më veprime konkrete për krijimin e një komisioni të përbashkët që do ketë për qëllim të nderojë një agjendë pune.
Rruga e Kombit ka bashkuar shqiptarët më shumë se 1000 fjalime që ne mund të mbajmë, ndaj ne duhet të veprojmë si dy kokat e shqiponjës në flamurin tonë kombëtr. Ky moment duhet të forcojë marrëdhëniet tona.
Kosova dhe Shqipëria të flasin me një gjuhë. Bashkimi ynë dërgon një mesazh të fortë në botë se shqiptarët do të jenë gjithmonë bashkë.
Në vijim, në Kuvendi e Shqipërisë apeloj mazhorancën që të jetë shteti i dytë pas Kosovës që dënon gjenocidin serb. Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë rezolutën për dënimin e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë dhe të nis hetimi për të zhdukurit.”, u shpreh Bardhi.
Top Channel