Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, në një intervistë për Zërin e Amerikës, iu përgjigj pyetjes nëse kryedemokratit Sali Berisha mund t’i hiqet “non grata” nga SHBA.
Kasanof refuzoi të flasë në emër të administratës së re, kur Presidencën e SHBA-së e merr Donald Trump, por theksoi se fokusi është te reforma dhe te ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.
Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u përcaktua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2021 për korrupsion madhor. Në atë kohë ai ishte vetëm deputet, ndërsa tani është kryetar i partisë kryesore opozitare. A mund ta ndryshojë kjo marrëdhënien mes Uashingtonit dhe Berisha?
Alexander Kasanof: Dëgjo, Armand, normalisht nuk flas për personat e përcaktuar dhe hollësitë e atyre rasteve. Ajo që do të doja të ritheksoja këtu është se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar. Këto mjete janë ndërtuar për të ndihmuar agjencitë vendase në terren, sidomos agjenci si SPAK-u, që të arrijnë misionin e tyre, por janë ndërtuar edhe për të ndihmuar përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të reformave në vazhdim në sistemin e drejtësisë. Kjo është ajo që theksojmë. Dhe këtu do të mbetet theksi ynë dhe fokusi ynë i vazhduar.
Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një pritshmëri të lartë në gjirin e opozitës, se administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund të ketë një qasje të re ndaj zoti Berisha. Dhe ka zëra të opozitës që presin që përcaktimi “non grata” të mund të anulohet. A ekziston një mundësi e tillë?
Alexander Kasanof: Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.
Top Channel