Pirateria televizive, 5 administratorë të disa subjekteve në pranga, Ismaili për Top Channel: Na ankoheshin qytetarët

19/12/2024 19:49

Një hetim një vjeçar i policisë së Tiranës, në kuadër të goditjes së piraterisë televizive, vuri në pranga 5 administrator të subjekteve online, në të cilat shiteshin paketa me kanale televizive, pa të drejta transmetimi.

Zv. drejtor i hetimit të krimit Tiranë, Erion Ismaili në një intervistë për Top Channel shpjegoi se për këto mashtrime, hetimi është ende në vijim dhe priten rezultate të tjera në fillim të vitit.

“Sa i përket piraterisë nga ana e sektorit të krimit financiar në drejtorinë e policisë së Tiranës, janë administruar materiale dhe kallëzime nga institucione si AMA. Kemi të bëjmë 100% me një praktikë ose njerëz që mashtrojnë qytetarët jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë vendit. Vazhdojmë ende me hetimin, ka dhe persona të tjerë të përfshirë, janë duke u hetuar dhe verifikuar dhe besojë që shpejt nga fillimi i viti tjetër do kemi rezultate të tjera konkrete lidhur me goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme”, tha ai.

Pirateria online, është një fenomen shqetësues që sjell dëmtim të konsumatorëve, të cilët mendojnë se kanë të bëjnë me kompani legjitime që ofrojnë shërbime digjitale.

“Herë pas herë vinin qytetarët që thonin kemi bërë pagesat dhe nuk na ofrohet shërbimi i duhur, kishte orë apo ditë pa akses, gjë që nuk është e sigurt për konsumatorin”, tha ai.

Sakaq, dëmet janë edhe për subjektet e ligjshme që ofrojnë transmetime televizive. Operatorëve ilegalë prishin konkurrencën e ndershme dhe c’rregullojnë tregun për përfitime të paligjshme.

“Kemi të bëjmë realisht me një shmangie të të ardhurave, nuk paguajnë detyrimet në shtet, në organet tatimore, në thelb kjo sjell një evazion fiskal në gjithë brendësinë e saj”, shprehet ai.

Ky hetim është përshëndetur dhe nga kryetarja e Autoritetit Të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, si një betejë e fituar në luftën kundër Piraterisë online.

Pirateria televizive po luftohet fuqimisht edhe nga platformat që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri. Digitalb krijon mundësinë që qytetarët të marrin shërbim të sigurt dhe 100% të garantuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA