140 moderatorë të Facebook në Kenia padisin për stres e traumë nga përmbajtjet e rrjetit (fotot)

18/12/2024 16:36

Padia bëhet nga ish-punonjësit ndaj kompanisë Meta dhe kontraktuesit vendas Samasource Kenya

140 punonjës të kontrollit të përmbajtjeve në Facebook janë diagnostikuar me “stres të rëndë post-traumatik” prej ekspozimit ndaj pamjeve të rënda gjatë punës së tyre si vrasje, abuzime seksuale me të mitur, vetëvrasje e terrorizëm.

Moderatorët e përmbajtjeve thonë se punonin tetë deri në 10-orë në ditë në ambjentet në Kenia për kompaninë e kontraktuar nga Facebook, dhe janë diagnostikuar me probleme të shumta mendore e psikologjike prej ekspozimit, sipas doktorit Dr Ian Kanyanya, i spitalit Kenyatta në kryeqytetin Nairobi.

Diagnoza masive është pjesë e padisë që ata kanë ngritur kundër kompanisë Meta, dhe Samasource Kenya, e cila kryente shërbimin për llogari të Meta duke punësuar njerëz nga vende të ndryshme të Afrikës.

Imazhet e video të rënda të seksit e dunës kanë bërë që disa operatorë të humbisnin ndjenjat, të villnin ose të largoheshin nga tryezat e tyre, thuhet në padi.

Cështja hedh dritë mbi masën e abuzimit në rrjet nga faktorë të errët për t’i shkaktuar sa më shumë influencë negative njerëzve, qoftë dhe në vendet më të varfra të botës.

Të paktën 40 nga moderatorët thonë se duhet të përdornin droga, alkool ose mjekime gjumi, që shkaktonin më shumë dëm për ta.

Disa raportonin prishje të martesave apo humbje të dëshirës seksuale prej ekspozimit ndaj abuzimeve seksuale, ose dhunës së reklamuar nga grupe militantësh.

Moderatorët nga Kenia dhe Afrika janë angazhuar në rrjet prej viteve 2019 deri në 2023 për të kontrolluar postimet e kontinentit të tyre, por paguhen deri në tetë herë më pak sesa homologët në SHBA, thuhet në dokumente, sipas The Guardian.

Meta dhe Samasource nuk pranonin të komentonin mbi ankesat.

Meta ka thënë më herët se i merr shumë seriozisht shqetësimet dhe se në kontratat me kompani të tjera detajon mbështetjen dhe trajnimin psikologjik të punonjësve./The Guardian/

FOTO GALERI
1/3
140 punonjës të kontrollit të përmbajteve në Facebook janë diagnostikuar me “stres të rëndë post-traumatik” prej ekspozimit ndaj pamjeve të rënda si vrasje, abuzime seksuale me të mitur, vetëvrasje e terrorizëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA