Vettingu u mbyll në shkallën e parë, por për ndërkombëtarët ky është vetëm një nga testet ndaj njerëzve të drejtësisë të cilëve partnerët ju përsëritën ruajtjen e standardeve kushtetuese.
Ndoshta mund të jetë rastësi mënyra se si e ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane, Nancy Vanhorn, e nisi fjalën e saj duke etiketuar si komisioner Roland Ilinë dhe si gjyqtar Sokol Comon, njëri në krye të KPK dhe tjetri në krye të KPA. Por ky përcaktim, sipas kompetencave që kanë në vetting, vjen në kohën kur komisionerëve të KPK u mbaron mandati në fund të dhjetorit dhe sakaq ata kërkojnë të emërohen si gjyqtarë.
“Rivlerësimi s’ka përfunduar, kërkesa e popullit shqiptar për drejtësi është po aq e fortë sa në 2016. Prokurorët në SPAK po luftojnë për të çuar para gjykatës bosët e krimit dhe figura të larta të korruptuara. Mbetet më shumë për të bërë. Duhet të jeni efikasë, të pavarur dhe të paanshëm. Duhet të vazhdoni luftën ndaj korrupsionit para çdo pengese”, shprehet Van Horn.
“KLGJ dhe KLP duhet të japë prova konkrete dhe të ruajnë standardet e organeve të vetingut. Një aspekt tjetër për të cilin i jemi referuar ne është rëndësia që kanë institucionet e vetingut që duhet t’i referojnë çështje prokurorisë dhe SPAK. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur dhe të ruhet integriteti, në mënyrë që çdo qytetar të ketë qasje në drejtësi”, tha Gonzales.
Kryeprokurori i SPAK, Altin dumani, i cili nga një janari 2025 merr kompetencat e komisionerit publik për vazhdimin e vettingut në KPA, e përshkroi reformën në drejtësi si transformimin e kërkuar.
“Pandëshkueshmëria po tronditet sot. Nje nga kompetencat është edhe vettingu, të gjitha këto kompetenca ti marrë drejtuesi. Parashikohet qe drejtuesi i SPAK do të ketë një angazhim të madh. Ashtu siç e kemi theksuar procesi i vetingut qartë ndahet ai civil nga penal”, tha ai.
“Nga shkurti i vitit 2018 deri në 21 nëntor 2024, datë kjo që shënon dhe vendimin e fundit të Komisionit, u verifikuan 805 subjekte rivlerësimi, nga të cilat: 373 vendime u dhanë për konfirmim në detyrë;· 268 vendime u dhanë për shkarkim nga detyra; 105 vendime për ndërprerje procesi (bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës);8 vendime për pushimin e procesit”, shprehet Roland Ilia, kreu i KPK.
Tanimë vettingu do të vazhdojë deri në qershor 2026 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit me palë gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar apo 42 të tjerë për të cilët ndonëse u konfirmuan, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e tyre. Natyrisht në këtë proces ata do të kenë përballë SPAK dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM. Ndërsa mbas këtij operacioni të thelluar në drejtësinë tonë, kontrollet më tej do t’i vazhdojnë periodikisht dy institucionet e tjera KLGJ dhe KLP.
Top Channel