Delvinës i duhen 500 punëtorë! Mungesë njerëzish për të vjelë ullinjtë, fermerët: Nuk vijnë as me 40 mijë lekë dita

15/12/2024 13:19

Kodrat përreth Delvinës dhe një pjesë e territorit të luginës së Kalasës janë kthyer në plantacione agrumesh dhe ullinjsh prej të paktën dy dekadash.

Ulliri traditcionalisht ka qenë kulturë kryesore në këtë zonë dhe qindra fermerë jetojnë me të ardhura kryesore ato prej shitjes së ullirit dhe vajit. Të gjithë banorët në Bamatat dhe Vllahat fshatra të vendosura në hyrje të Delvinës po merren këto ditë me vjeljen e ullirit. Nevoja ditore për rreth 500 punëtorë përmbushet vetëm në masën 20%. Megjithëse pagesat ditore shkojnë nga 3000-4000 lekë për punëtor zona është pothuajse e shpopulluar dhe një pjesë e prodhimit rrezikon të ngelet pa u vjelur.

“Vështirësi ka në tregtimin e vajit të ullirit dhe mbase shteti duhet të mbështesë për krijimin e infrastrukturës, ndërtimin e ambienteve për grumbullimin e vajit”.

Kultivimi i ullirit në zonat e ulëta të luginës prej vitesh po prek rendimentin dhe nuk favorizon subvencionet.

“Ulliri efektivisht ka shpenzime të shumta sepse është prodhim i pakët për rrënjë. Nëse do të ishte 50-60kg do kishte të ardhura të mira dhe njerëzit mund të qëndronin e të punonin. Por që mungon fuqia punëtore nuk përballohet”

“I kemi vjelë vetë, nuk na erdhën punëtorë sivjet. Kërkojmë dhe nuk na vijnë. E kanë pagesën shumë të lartë 35 mijë lekë në ditë dhe nuk ja vlen.”

Të tjerë që kanë investuar duke mbjellë mijëra rrënjë mendojnë se produkti autentik shekullor vendas i ullirit duhet mbështetur dhe branduar siç duhet.

“Vajin e ullirit e kërkojnë të gjithë por e kërkojnë me një çmim minimal sepse diku ku e përziejnë e shesin me një çmim shumë më të ulët nga vaji që është bio e që del në fabrikë. Ky është një ngërç për të cilin duhet të marrë masa shteti me kontrolle më të imëta.”

Specialistët flasin për nevojën e diversifikimit të investimeve edhe në sektorë të tjerë të bujqësisë, pemëtari dhe blegtori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA