Nga Alda Bardhyli
Një shekull nga koha kur Thomas Mann shkroi një nga kryeveprat e letërsisë botërore, Malin Magjik, vepra rivjen më aktuale se më parë, duke përshfaqur idenë e përhershme se letërsia e mirë është ajo që komunikon në çdo kohë. Një botë në pritje të zgjidhjes së konflikteve, luftërave, çështjeve të së drejtave njerëzore, gjinisë, cancel kulture, frikës nga e ardhmja, të kujton përjetimet që kjo vepër të jep teksa e lexon.
Bota letrare e ka rikthyer në vëmëndje Malin Magjik, me një sërë analizash që kërkojnë të sjellin gjenialitetin e një shkrimtari si Thomas Mann, i cili parashikon, por dhe si një ftesë për një botë ku intelektualët dhe kultura është më e pranishme. Vetë shkrimtari besonte se idetë në këtë libër ishin të shumfishta, mbi problemin human të njeriut, apo politikën. Si në një laborator pikëpamjesh aty parashtrohen dhe analizohen të gjithë aftësitë e mendjes dhe të përfytyrimit. Ka vende, pasazhe në roman ku njeriu dyshon në është vërtet Hans Kastorpi heroi, personazhi kryesor, apo të tilla janë idetë e trupëzuara si njerëz, gjë që do të përligjte edhe emërtimin e tij si “roman idesh”. Në shumë drejtime Mali magjik është një parodi e romanit vetëformues. Sikundër protagonistët e tyre edhe Hans Kastorpi largohet nga shtëpia dhe ndeshet në sanatorium me artin, politikën dhe dashurinë. Sidomos gjatë bisedave me mentorët e tij Setembrinin dhe Naftën, ai njihet me një sërë ideologjish.
Por ndryshe nga romani klasik i formimit, “edukimi” në malin magjik nuk çon në shndërrimin e Hans Kastorpit në një anëtar të aftë dhe të vetëdijshëm të shoqërisë borgjeze, përkundrazi procesi i tij personal i edukimit përfundon në boshësi, në furtunën e çeliktë dhe që shkatërron çdo individualitet të Luftës së Parë Botërore
Me një volum prej 1000 faqesh, kjo vepër hyn tek ato lexime që gjithnjë shtyhen në kohë, por që të përfshijnë me fuqinë dhe thellësinë e mendimit. Në këtë përvjetor të rëndësishëm doja të ndalesha jo vetëm tek rëndësia që ka për botën e librit shqip ardhja e kësaj vepre në gjuhën shqipe, por dhe në një homazh, për njeriun që i dha jetë falë një pune prej sizifi, e një maratone të mundimshme që kërkonte shpirt e kohë, për ta shqipëruar këtë roman për lexuesin shqiptar, përkthyesin e ndjerë Afrim Koçi. Vepra e botuar në dy vëllime nga Shtëpia Botuese 55 më vitin 2009, shënjoi një ngjarje për botimet shqipe, që gati 85 vjet, nga koha kur kjo vepër u botua në më shumë se 40 gjuhë të botës, tashmë vinte në gjuhën shqipe. Një vepër që e vinte përkthyesin para përballimit të frikshëm me nivelin intelektual, artistik dhe ndjenjësor të këtij shkrimtari, me stilin e tij simbolik dhe ironik, me thellësinë e tij psikologjike dhe kritike, do të shprehej Afrim Koçi.
Ende i kujtoj bisedat me të mbi këtë libër, pasigurinë dhe emocionet e një botimi që shënjonte gjithë jetën e tij. “Unë u mundova t´i mbetem maksimalisht besnik mendimit dhe stilit të shkrimtarit, por njëherësh u përpoqa të mos i bëj dhunë gjuhës shqipe, aq të bukur dhe aq të aftë për të derdhur në kallëpin e saj cilëndo vepër letrare a shkencore të cilësdo kulturë të botës, asaj gjuhe që sot mjerisht, përpara syve tanë, dita-ditës dhe me ritme frikësuese, “po prishet e po bastardohet”, shprehej ai.
Afrim Koçi u nda nga jeta më vitin 2017, duke i lënë botës së librit shqip një përkthim monument, i cili e pasuron gjuhën shqipe. Thomas Mann e nisi punën me Malin Magjik më vitin 1912, duke e menduar si një kundërti parodike e “Vdekjes në Venecie”.
Por angazhimet e shumta të shkrimtarit, udhëtimet e tij nëpër Europë, Lufta e Parë Botërore, që sollën ndryshime në mendësi dhe përvoja të reja për shkrimtarin, u bënë shkak që vepra, e nisur si një tregim broshurë me diku 100-150 faqe, të rritet e të fryhet deri në 1200 faqe.
Arena e veprimit në romanin e Manit është sanatoriumi Berghof, i cili jo vetëm gjeografikisht gjendet në male, por që, sikundër Mali magjik në veprat e vjetra, përfaqëson një botë të mbyllur hermetikisht. Izolimi i tij krijon kushte për një përqendrim karakteresh përfaqësues, veprimtaria e të cilëve pasqyron konfliktet shoqërore, politike dhe shpirtërore të Europës përpara Luftës së Parë Botërore. Përveç kësaj malësia paraqet edhe një kundërti me vendlindjen e Kastorpit, “rrafshinën” e esëllt, të ethshme dhe (për Joahimin) edhe vrastare. Vetëm këtu në këto male të larta, ai arrin të ngrihet shpirtërisht përmbi botën borgjeze të origjinës dhe së fundi, në “stuhinë e dëborës”, të mposhtë dhe të kapërcejë edhe mallin për vdekje. Në një Bloksberg, ku në pjesën e parë të Faustit shtrigat dhe magjistricat mblidhen në një festë të shthurur dhe mekatare, shndërrohet edhe Berghofi në skenën groteske të karnavaleve, të përshkruara në kreun “Nata e valpurgeve”, gjatë së cilës Hans Kastorpi i shfaq dashurinë madamë Shoshas. Këtu, do të thotë në mes të veprës, përmendet për herë të parë edhe titulli i veprës, pikërisht në citatin e Gëtes, të shqiptuar nga Setembrini:
“Dhe sa çudi! Sot mali po bën magji,
Një dritë u del përpara, kërkon tu prijë,
Mos i besoni! E rreme është, shtrigë dhe shtisë!
(Nata e valpurgeve, Fausti I)
Më tej sanatoriumi të kujton Venusbergun, një toponim të përhapur shumë në letërsinë gjermane, më së tepërmi nga opera Tanhojzer e Vagnerit, një farë “parajse ferri”, vend i epshit dhe i shthurjes. Atje koha kalon ndryshe: vizitori beson se ka kaluar vetëm disa orë në Venusberg, por kur ndodhet jashtë tij del se kishin kaluar shtatë vjet.
Motive të tjerë të gjithëpranishme dhe themelorë në roman janë edhe sëmundja dhe vdekja. Pothuajse të gjithë personazhet kryesore vuajnë në shkallë të ndryshme nga tuberkulozi që sundon rendin e ditës, bisedat, mendimet. Pacientë vdesin vazhdimisht, si fjala vjen Barbara Hujus, skena e zymtë e Viatikumit të së cilës do te mbetet përjetësisht në mendjen e lexuesit, apo e kushëririt Joahim që ndahet nga jeta “heroikisht” si heronjtë e Lashtësisë. Në bisedat midis Setembrinit dhe Naftës tema e vdekjes diskutohet kryesisht në rrafshin metafizik. Krahas rasteve të vdekjeve për shkak të sëmundjes, ndodhin edhe shumë vetëvrasje (Peperkorni, Nafta), përpara se romani të mbarojë përfundimisht në një luftë vrastare, në një “gosti të përbotshme të vdekjes”
Lidhur me vdekjen dhe sëmundjen në romanin e tij Tomas Mani komenton: “Ai (është fjala për Kastorpin) arrin të kuptojë se shëndeti më i lartë duhet të kalojë patjetër nëpër përvojat e thella të sëmundjes dhe vdekjes….) Jeta, i thotë një ditë Hans Kastorpi zonjës Shosha, ka dy rrugë për tu jetuar: njëra është rruga e zakonshme, e drejtpërdrejtë dhe e mbarë, tjetra është e keqe, ajo kalon përmes vdekjes dhe kjo është rruga gjeniale. Ky konceptim i sëmundjes dhe i vdekjes , si një kalim i domosdoshëm drejt dijes, shëndetit dhe jetës, e bën Malin magjik një roman “shugurimi”. Në kreun “Dëbora”, me kapërcimin e joshjes për t íu dorëzuar vdekjes, Kastorpi bën një hap të madh, vendimtar, në zhvillimin e tij shpirtëror. Me tematikën jetë-vdekje lidhet edhe nocioni i kohës, një motiv tjetër qendror i Malit magjik. Edhe pse i ndërtuar në mënyrë kronologjike, veprimi nuk rrjedh me shpejtësi të njëtrajtshme, por me një përshpejtim të pabarabartë. Pesë kapitujt e parë, pothuajse gjysma e tekstit, përshkruajnë në mënyrë të zgjatur dhe me shumë hollësi, vitin e parë të shtatë viteve të qëndrimit të Hans Kastorpit në malin magjik, që i sjellin çdo ditë protagonistit gjëra të reja dhe interesante. Ndërsa dy kapitujt e fundit, përfshijnë dhe ngjeshin një periudhë prej gjashtë vitesh, të karakterizuara nga rutina dhe monotonia.
Top Channel