U aksidentua gjatë një udhëtimi në Luksemburg, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi shtrohet në spital

13/12/2024 20:54

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi është shtruar në spital pasi “pësoi një dëmtim” gjatë një angazhimi zyrtar në Luksemburg, njoftoi zëdhënësi i saj.

Zonja Pelosi, 84 vjeçe, gjendej në Evropë për të shënuar 80-vjetorin e Betejës në Ardene, mes Belgjikës dhe Luksemburgut, në Luftën e Dytë Botërore.

Zëdhënësi i saj, Ian Krager, tha përmes një deklarate se zonja Pelosi “po merr trajtim të shkëlqyer nga mjekët dhe profesionistët e mjekësisë” dhe nuk është në gjendje të jetë e pranishme në pjesën e mbetur të ceremonive dhe takimeve të parashikuara në kuadër të vizitës së saj. Ai nuk dha ndonjë hollësi shtesë mbi dëmtimin që kishte pësuar zonja Pelosi. Zonja Pelosi “pret me padurim të kthehet së shpejti në shtëpi, në Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësi Krager.

Nancy Pelosi, e cila u zgjodh për herë të parë në 1987 dhe shërbeu dy herë si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, dha dorëheqjen nga posti dy vjet më parë, por qëndroi në Kongres dhe në nëntor u rizgjodh për të përfaqësuar qarkun e saj të San Franciskos.

Ajo ka qenë aktive përgjatë dy viteve të fundit, që kur la postin e lartë, duke punuar me demokratët larg syve të opinionit, si dhe publikisht, dhe duke marrë pjesë në ngjarje zyrtare.

Njoftimi për dëmtim të zonjës Pelosi vjen disa ditë pasi udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, u pengua dhe u rrëzua në Senat. Ai ndrydhi kyçin e dorës dhe pësoi një çarje në fytyrë. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA