Nisma për shfuqizimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019.
Këto iniciativa kontestojnë thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij.
‘Ka iniciativa për të anuluar në tërësi ligjin, ka iniciativa për të abroguar dispozita të caktuara…çështja kryesore është përdorimi i gjuhës në proceset gjyqësore, nëpër bankënota, uniformat e policisë, zjarrfikësve’ u shpreh Adnan Jashari, konstitucionalit.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski, ka thënë se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm dy – tre dispozita.
Për ekspertët këto dispozita parashikojë heqjen e gjuhës shqipe nga përdorimi në gjyqësor, prokurori, apo në institucionet e larta të shtetit. Kjo do të thotë se gjuha shqipe nuk do të ketë statusin e gjuhës zyrtare, por do ta zbresë vetëm në administratën lokale.
Më konkretisht, kushtetuesja ka paralajmëruar se mund të shfuqizojë nenin 9 të këtij ligji. Ky nen detajon se në procedurat gjyqësore, hetimore, penale, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj.
‘Nëse gjykatat kushtetuese i abrogon nenet bazë të ligjit të gjuhës, atëherë gjithçka është e kotë, dhe unë mendoj se kjo është ajo vija e kuqe që nuk ka më kompromis. Këtu duhet të bëhemi një dhe të themi ai ligj ajo gjuhë kanë dalë nga gjaku i dëshmorëve dhe dëshmorët nuk kanë të njërës parti apo të tjetrës’ u shpreh ish-ministri, Bujar Osmani
Për të ndërhyrë në ligjin e gjuhës po përdoret si pretekst rekomandimi i komisionit të Venecias, që vlerësoi në 2019-ën se përdorimi i gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore do ti ngadalësojë ato. Për ekspertët gjykata kushtetuese po del jashtë fushës së saj të veprimit.
‘Vërejtjet që ata dhanë nuk lidhen me aspekte të kushtetutshmërisë, por zbatueshmërisë. Zbatueshmëria nuk ka të bëjë me kushtetutshmërinë. Dhe nuk është në kompetencë të gjykatës kushtetuese të vlerësojë dhe të nxjerrë përfundime se si do të zbatohet në aspektin pragmatik’ u shpreh Adnan Jashari, konstitucionalit.
Top Channel