Fermerët francezë kanë përsëritur sot se marrëveshja e fundit Bashkimi Evropian me vendet latine të grupit Mercosur, e mbështetur nga Ursula von der Leyen, është “tradhti” e interesave bujqësore evropiane.
Federata kombëtare FNSEA dhe ajo e fermerëve të rinj francezë njoftuan protesta dy ditët në vijim , duke akuzuar von der Leyen se po vendos interesat e korporatave mbi ato të fermerëve dhe mbi parimet demokratike, shkruan rrjeti belg Brusselsignal.
“Ky jo vetëm është një provokim për fermerët evropianë që ruajnë standardet më të larta të ushqimit në botë, por është një mohim i demokracisë”, thanë dje dy sindikatat në një deklaratë të përbashkët.
Ato shtonin se shefja e KE, von der Leyen, i ka dhënë prioritet “interesave të veçanta në industrinë e makinave”, duke lënë prapa parimet e sovranitetit ushqimor dhe të klimës.
Emmanuel Macron gjithashtu përmendi çështjen duke thënë se do të luftonte të kundërshtonte marrëveshjen, që ende nuk është e përfunduar.
“Komisioni i BE ka përfunduar negocjatat me vendet e Mercosur, por marrëveshja nuk është miratuar,”.
Por për të kundërshtuar zyrtarisht marrëveshjen Franca duhet të bashkohet me të paktën 3 vende të tjera anëtare të BE, për të arritur në masën e 35 përqind, ndërsa deri tani vetëm Polonia ka shprehur kundërshtimet e saj.
Italia mund të jetë një tjetër faktor teksa qeveria e saj ka thënë se “teksti aktual nuk plotëson kushtet për të nënshkruar”.
Marrëveshja e kontestuar e ushqimit me vendet e Mercosur ka shkaktuar ndasi politike mes vendeve të bllokut, në një kohë që fermerët evropianë protestonin edhe para saj politikat kufizuara të klimës e të reduktimit të kafshëve në BE.
Top Channel