Kënga “Mora Fjalë”, e cila mori përmasa të mëdha në zemrat e të gjithë tifozëve shqiptarë pas kualifikimit historik të Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë, është ndaluar që të këndohet sërish në stadium.
Në prag të sfidave me Republikën Çeke dhe Ukrainën në Ligën e Kombeve, kënga e artistet Shkurte Fejzaj nuk u hap në ambientet e “Arenës Kombëtare”, teksa Tifozët Kuq e Zi u shprehën se i ishte komunikuar që mos ta këndonin.
E ftuar në “Shqipëria Live”, artistja e njohur e quajti këtë vendim të pakuptimtë, pasi qëllimi i asaj kënge është për një figurë historike për Kosovën dhe Shqipërinë.
“Unë jam ndjerë shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë. Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjët që ka Kosova dhe konsiderohet një figurë e shenjtë dhe për Shqipërinë. Kjo këngë mori përmasa nga stadiumi”, tha artistja.
Për këtë situatë, komentoi dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, i cili u shpreh se ky vendim nuk do t’i ndalojë tifozët që ta këndojnë.
“E lexova pak në rrjete. Nuk është se kam pasur një vëmendje të madhe, por është një fat që e kemi një Shkurte Fejzaj që për ne në Kosovë është një figurë e veçantë. Sa i përket pjesës së këngës, të them të drejtën nuk jam shumë brenda ngjarjes, por një gjë është e sigurt, mos t’i japim aspekt negativ. Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume dhe kur këndojnë tifozët, nuk është askush që mund t’i ndalë. Nuk e shoh që të mbahet si polemikë. Sa i përket këngës “Mora fjalë”, është këngë e popullit tonë, e sakrificave dhe kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”, tha Cana.
Top Channel