Kabllot e internetit që lidhin Suedinë dhe Finlandën janë këputur dhe autoritetet po e trajtojnë incidentin si një akt sabotazhi, e pohuar kjo nga ministrja finlandeze e komunikimit, Lulu Ranne e cila shkroi në platformën në X se “po e marrin situatën shumë seriozisht”.
Dëmi u zbulua mëngjesin e sotëm. Kabllot besohet të jenë këputur në tokën finlandeze. Autoriteti suedez i Postës dhe Telekomunikacionit (PTS), Agjencia Norvegjeze për Sigurinë dhe Përgatitjen në Komunitet (MSB), Forcat e Armatosura suedeze dhe qeveria thuhet të jenë informuar që të gjitha për incidentin.
GlobalConnect, i cili zotëron kabllot, njoftoi se këputja e tyre ka ndodhur në dy pika në dy linja të ndryshme, duke prekur mbi 6,000 klientë dhe 100 biznese në Finlandë. Pak ditë më parë, pati ndërhyrje në kabllot nënujore në Gjermani, Suedi, Finlandë e Lituani. Këto episode u përshkruan nga zv/sekretari i përgjithshëm i Inovacionit dhe Kibernetikës në NATO, James Appathurai, si shembull të luftës hibride dhe ndërhyrjeve në rritje kibernetike të Rusisë.
Ato përbëjnë sipas Appathurait, kërcënimin më serioz të momentit ndaj infrastrukturës perëndimore. Ranne ka theksuar se vendi i saj po përjeton ndërprerje, akte sabotimi, lloje të ndryshme dëmtimesh dhe emigrim të instrumentalizuar. Kjo krijon një ndjenjë të përgjithshme pasigurie dhe paqartësie për atë që është e vërtetë dhe çfarë jo. Bazuar në informacionet nga inteligjenca civile dhe ushtarake, ne kemi indikacione të qarta që tregojnë për Rusinë”, deklaroi ajo.
Top Channel