Makina e autorit të dyshuar të vrasjes së Ndroqit u gjet e braktisur te Shkëmbi i Kavajës, ndërsa ekspertët e policisë po përpiqen të gjejnë gjurmët e autorit, apo dhe ndonjë bashkëpunëtori që e ka ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes pas krimit.
Automjeti tip “Benz ML” me të cilën u largua Julian Gjoshi, 27-vjeçari që dyshohet se vrau Alfred Dedjan në një lokal në Ndroq, një ditë më parë, u gjet i parkuar në anë të rrugës dytësore në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, në Durrës.
Ndërkaq mësohet se policia ka ushtruar kontrolle edhe në Shijak e Durrës, si dhe zonat përreth për kapjen e Julian Gjoshit, por deri tani pa rezultat.
Targat e makinës së përdorur prej kunatit të Hajrit për largimin pas krimit dyshohet se janë të vjedhura. Ato u gjetën të hedhura disa metra larg mjetit. Dyshohet edhe se mjeti është vjedhur.
Gjithsesi pritet që policia të dalë me njoftim zyrtar për këtë.
Si ndodhi ngjarja?
Vktima ka qenë duke drekuar me miqtë, kur në momentin që është futur në lokal 27-vjeçari, Dedja është ngritur për ta takuar, por ai e ka qëlluar me armë zjarri, pa i thënë asgjë.
Autori i dyshuar është një emër i njohur për autoritetet e drejtësisë. 27-vjeçari rezulton të ketë precedent të mëparshëm kriminal, ndërsa në vitin 2021 është arrestuar me pistoletë pa leje.
Po ashtu ai rezulton të jetë kunati i Altin Hajrit, një nga personat e shumëkërkuar të policisë, që dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës
Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ku dyshohet se u ekzekutua Jan Prenga, del edhe në përgjimet e SKYECC, ku ka pasur komunikime me ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja. Në dosje, veç të tjerash, rezulton se Hajri kërkonte ndërhyrjen e Çyrbjes për lirimin e kunatit të tij.
Top Channel