Në Shkodër, qytetin që shënjoi ditën e Çlirimit më 29 nëntor 1944, ky 80-vjetor u përkujtua nga socialistet, socialdemokratët dhe veteranët e luftës që vendosën kurora me lule.
Në Varrezat e Dëshmorëve në Shkodër nderuan edhe Anëtarët e Partisë Komuniste, vendosën yllin e kuq, simbol të diktaturës, dhe nderuan me grusht.
Mospërmendja e Enver Hoxhës, si çlirimtar i Shqipërisë, u bë shkak për përplasje mes komunistëve dhe veteranëve të luftës.
Edhe në Durrës u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë duke vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Të pranishmit nderuan kujtimin e atyre që flijuan jetën e tyre për lirinë e vendit.
Në historinë e Luftës së Dytë Botërore, Durrësi shquhet për rezistencën që i bëri pushtimit fashist që në ditët e para të tij, ndërsa regjistron dhe një rast unik. Në vjeshtën e vitit 1943, komanda gjermane, duke e cilësuar Durrësin si një qytet të rëndësishëm të lëvizjes antifashiste, ndërmori operacionin e koduar “Shëtitje në Port”. Banorët u detyruan me forcë të braktisnin qytetin, i cili u minua plotësisht, së bashku me vijën bregdetare. 80 vite pas këtyre ngjarjeve, qytetarët dhe institucionet e Durrësit vazhdojnë të nderojnë sakrificat dhe të reflektojnë mbi trashëgiminë historike që vazhdon të frymëzojë brezat e sotëm.
80 vjetori i Çlirimit në Vlorë u përkujtua me një ceremoni të zhvilluar në varrezat e dëshmoreve. Krah vetëranëve të luftës, në këtë ceremoni ishin edhe zyrtarë të pushtetit vendor, deputetë, përfaqësues të forcave të armatosura, por edhe nxënës të shkollave.
Në lapidarin që përkujton 1032 dëshmorët e Vlorës janë vendos buqeta dhe kurora me lule.
Top Channel