Policia ka reaguar sot duke e quajtur si të rremë lajmin për praninë e një autori të dytë me thikë në vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani.
Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dezinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes.
Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet.
Policia zbulon se nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë, veprime te cilat janë të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.
Policia tregon edhe dinamikën e ngjarjes sipas të cilës, autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.
Nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit thuhet në reagimin e policisë duke ripërsëritur se çdo version i ndryshëm me këtë është I pavërtetë.
Top Channel