Plagosja me thikë e shokut të Martin Canit, reagon Spitali i Traumës: I është dhënë shërbimi i nevojshëm, është në gjendje të mirë

28/11/2024 15:24

Spitali Universitar i Traumës ka reaguar në lidhje me plagosjen me thikë e shokut të Martin Canit, Luis Meçja.

Në njoftim thuhet se ndaj 14-vjeçarit është dhënë shërbimi i nevojshëm mjekësor dhe vijon të marrë trajtim, ndërsa theksojnë se gjendja e tij është përmirësuar.

Spitali, në përfundim, thotë se për Luisin nuk është e nevojshme të kërkojë ndihmë jashtë mundësive që ky spital ofron.

Reagimi i plotë i Spitalit Universitar të Traumës: Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:

Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA