Fiks Fare/ “Do marrim kulturën britanike”, këshilltarët e Hasit udhëtim turistik për Çlirimin dhe Pavarësinë në Angli!

28/11/2024 20:49

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e Bashkisë së Hasit, e cila ka bërë një tender për udhëtim të këshilltarëve të bashkisë në datat 28 deri në 30 nëntor 2024, në Mbretërinë e Bashkuar.

Objekti i tenderit është “vizitë studimore e këshilltarëve të Bashkisë Has”, ndërkohë që procedura është bërë në datën 14 nëntor 2024. Kryetari i Bashkisë së këtij qytetit Miftar Dauti, ka urdhëruar bërjen e këtij tenderi me procedurën e prokurimit me vlerë të vogël me fond limit 833 mijë lekë, ose rreth 10 mijë euro.

Në dokumente shkruhet se kërkohet bileta vajtje – ardhje për 21 persona, në datë 28-30 Nëntor 2024. Datat e vizitës përkojnë me festat e nëntorit, ku krahas takimeve në Uells këshilltarët do të udhëtojnë edhe në Londër. Në shkresa është edhe një axhendë për këshilltarët, ku kërkohet lëvizja nga Tirana për në Uells. Nisja në datën 28 nëntor (sot), nga Rinasi për Luton, Londër. Një natë qendrimi në hotel dhe në datë 29 nëntor 2024 do të bëhet takimi nga ora 10:00 – 16:00. Pas takimit, udhëtimi nga Uellsi për në Londër dhe më pas në hotel si dhe shëtitje. Në datën 30 nëntor kërkohet vizitë në vende të ndryshme të Londrës.

Fiksi bisedoi me disa banorë të Hasit, të cilët tregojnë se të rinjtë kanë emigruar masivisht në Mbretërinë e Bashkuar. Në qytet kanë ngelur pleqtë, teksa shumica prej tyre të afërmit i kanë në Angli. Fiksi i pyet se këshilltarët bashkiakë do të udhëtojnë në Angli gjatë festave, teksa thonë se edhe ata duan të takojnë të afërmit, por disa prej tyre kanë nga 10 vite që s’i kanë takuar.

Pas këtyre informacioneve, Fiksi shkoi në Bashkinë e Hasit, ku takojnë sekretarin e Këshillit Bashkiak, Nezir Lushi. Në zgjedhjet e fundit vendore, kryetar bashkie u zgjodh Miftar Dauti, i koalicionit Bashkë Fitojmë (i Partisë Demokratike). Ndërkohë, Kryetari i Këshillit është zgjedhur nga Partia Demokratike, ashtu edhe sekretari i këshillit, Nezir Lushi. Fiksi e pyeti se për çfarë do të udhëtojnë këshilltarët në Uells dhe ai përgjigjet se ka një ftesë nga një bashki në këtë shtet për të studiuar planin ekonomik dhe atë të mbetjeve urbane.

Gazetarët e pyesin se përse u zgjodhën datat e festave kombëtare në Shqipëri, ajo e Çlirimit dhe Pavarësia, teksa ai tha se gjithçka është një koiçidencë pasi në atë datë ishte festa dhe ata nuk e refuzonin. Fiksi e pyet se sa persona do të udhëtojnë, teksa ai thotë se janë 21 këshilltarë dhe fondi ka dalë në buxhetin e fillim vitit, ku të gjithë anëtarët, qoftë të PS-së dhe të PD-së kanë votuar për këtë udhëtim. Ai thotë se kanë marrë viza rreth 15 vetë dhe do ndryshohen personat që do udhëtojnë, por deri në datë 25 nëntor (kur shkoi Fiksi në Bashkinë e Hasit) ende s’ishte shpallur fituesi.

Fiksi e pyet se përse duan të ikin në Mbretërinë e Bashkuar dhe a ka organizuar bashkia ndonjë eveniment për festat, tregon se ata që do të ngelin do të marrin pjesë në një ceremoni. E pyesin se, i gjithë itinerari duket turistik, takimet në Uells dhe udhëtimi në Londër. Ai tregon se kanë marrë kontakte me agjenci turistike dhe ato ia kanë rekomanduar këtë axhendë, teksa thotë se këshilltarët do të vizitojnë disa vende historike dhe kulturore në Londër për të marrë më shumë kulturë.

Gazetarët e pyesin nëse këshilltarët kanë të afërm në Mbretërinë e Bashkuar, madje edhe ai vetë nëse ka, teksa përgjigjet se “po, edhe unë kam dhe do t’i takoj se me disa kam edhe 10 vite pa takuar”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA