Në ditën e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt 2022, Antoni thotë se baza e armëve bërthamore ku ai shërbente u vendos në gatishmëri të plotë luftarake.
“Para kësaj, kishim vetëm stërvitje. Por ditën që filloi lufta, armët ishin vendosur plotësisht,” thotë ish-oficeri i forcave bërthamore ruse. “Ishim gati të hidhnim forcat në det dhe ajër dhe, në teori, të kryenim një sulm bërthamor.”
Unë u takova me Antonin në një vend sekret jashtë Rusisë. Për mbrojtjen e tij, BBC-ja nuk do të zbulojë vendndodhjen. Gjithashtu, kemi ndryshuar emrin e tij dhe nuk po tregojmë fytyrën e tij.
Antoni ishte një oficer në një bazë armësh bërthamore tepër sekrete në Rusi. Ai na ka treguar dokumente që konfirmojnë njësinë, gradën dhe bazën e tij.
BBC-ja nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur të gjitha ngjarjet që ai përshkroi, megjithëse ato përputhen me deklaratat ruse në atë kohë.
Tre ditë pasi trupat kaluan kufijtë e Ukrainës, Vladimir Putin njoftoi se forcat e parandalimit bërthamor të Rusisë ishin urdhëruar të kalonin në një “regjim të veçantë shërbimi luftarak”.
Antoni thotë se gatishmëria luftarake ishte vendosur që në ditën e parë të luftës dhe pretendon se njësia e tij ishte “mbyllur brenda bazës”.
“E vetmja gjë që kishim ishte televizioni shtetëror rus,” thotë ish-oficeri. “Nuk e dija vërtet se çfarë kuptimi kishte e gjitha kjo. Thjesht kryeja automatikisht detyrat e mia. Ne nuk po luftonim në luftë; thjesht po ruanim armët bërthamore.”
Gjendja e gatishmërisë, shton ai, u anulua pas dy deri në tre javësh. Dëshmia e Antonit ofron një pasqyrë të funksionimit të brendshëm tepër sekret të forcave bërthamore në Rusi. Është jashtëzakonisht e rrallë që ushtarwt e shërbimit të flasin me gazetarët.
“Ka një proces përzgjedhjeje shumë të rreptë atje. Të gjithë janë ushtarë profesionistë – nuk ka rekrutë,” shpjegon ai. “Ekzistojnë kontrolle të vazhdueshme dhe teste me detektor gënjeshtrash për të gjithë. Paga është shumë më e lartë dhe trupat nuk dërgohen në luftë. Ata janë atje ose për të penguar, ose për të kryer një sulm bërthamor.”
Ish-oficeri thotë se jeta ishte tepër e kontrolluar. “Ishte përgjegjësia ime të siguroja që ushtarët nën komandën time të mos merrnin telefona në bazën bërthamore,” shpjegon ai. “Është një shoqëri e mbyllur, aty nuk ka të huaj. Nëse do të donit që prindërit tuaj të vizitonin, duhej të paraqisnit një kërkesë në Shërbimin e Sigurisë FSB tre muaj më parë.”
Antoni ishte pjesë e njësisë së sigurisë së bazës – një forcë reagimi e shpejtë që ruante armët bërthamore. “Kishim stërvitje të vazhdueshme. Koha jonë e reagimit ishte dy minuta,” thotë ai me një ndjenjë krenarie.
Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia zotëron rreth 4,380 koka bërthamore operative, por vetëm 1,700 prej tyre janë të “dislokuara” ose gati për përdorim. Të gjitha shtetet anëtare të NATO-s së bashku posedojnë një numër të ngjashëm.
Ka gjithashtu shqetësime nëse Putin mund të vendosë të përdorë armë bërthamore “jo-strategjike”, shpesh të quajtura taktike. Këto janë raketa më të vogla që zakonisht nuk shkaktojnë ndotje të gjerë radioaktive.
Megjithatë, përdorimi i tyre do të çonte në një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës. Kremlini po bën gjithçka që mundet për të testuar nervat e Perëndimit.
Vetëm javën e kaluar, Putin ratifikoi ndryshime në doktrinën bërthamore – rregullat zyrtare që përcaktojnë mënyrën dhe kohën kur Rusia mund të nisë armë bërthamore.
Sipas doktrinës së re, Rusia mund të nisë një sulm bërthamor nëse bie nën një “sulm masiv” nga raketa konvencionale nga një shtet jo-bërthamor, por “me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një shteti bërthamor”.
Zyrtarët rusë thonë se doktrina e përditësuar “praktikisht eliminon” mundësinë e një disfate në fushëbetejë. Por, a është arsenali bërthamor i Rusisë plotësisht funksional?
Disa ekspertë perëndimorë sugjerojnë se shumica e armëve datojnë nga epoka sovjetike dhe mund të mos funksionojnë. Ish-oficeri i forcave bërthamore e refuzon këtë opinion si një “pikëpamje shumë e thjeshtëzuar nga të ashtuquajturit ekspertë.”
“Mund të ketë disa lloje armësh të vjetruara në disa zona, por vendi ka një arsenal bërthamor të jashtëzakonshëm, një sasi të madhe kokash bërthamore, përfshirë patrullat luftarake të vazhdueshme në tokë, det dhe ajër.”
Ai këmbëngul se armët bërthamore të Rusisë janë plotësisht operacionale dhe gati për luftë. “Puna për mirëmbajtjen e armëve bërthamore kryhet vazhdimisht; nuk ndalon asnjë minutë.”
Shpejt pas fillimit të luftës në shkallë të plotë, Antoni thotë se iu dha një urdhër që ai e përshkruan si “kriminal” – të mbante leksione me trupat e tij duke përdorur udhëzime specifike të shkruara.
“Ata thanë se civilët ukrainas janë luftëtarë dhe duhet të shkatërrohen!” thotë ai me indinjatë. “Kjo është një vijë e kuqe për mua – është një krim lufte. Thashë se nuk do ta përhap këtë propagandë.”
Oficerët e lartë e ndëshkuan Antonin duke e transferuar në një brigadë sulmi të zakonshme në një pjesë tjetër të vendit. Ai u paralajmërua se do të dërgohej në luftë.
Këto njësi shpesh dërgohen në betejë si “vala e parë” dhe një numër dezertorësh rusë i kanë thënë BBC-së se “problematikët” që kundërshtojnë luftën janë përdorur si “mish për top.”
Ambasada ruse në Londër nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Para se të mund të dërgohej në vijën e frontit, Antoni firmosi një deklaratë duke refuzuar të merrte pjesë në luftë, dhe kundër tij u hap një çështje penale. Ai na tregoi dokumente që konfirmonin transferimin në brigadën e sulmit dhe detajet e çështjes penale.
Më pas, ai vendosi të arratisej nga vendi me ndihmën e një organizate vullnetare për dezertorët.
“Nëse do të isha larguar nga baza e forcave bërthamore, atëherë Shërbimi i Sigurisë FSB do të kishte reaguar në mënyrë vendimtare dhe ndoshta nuk do të kisha arritur të largohem nga vendi,” tha ai.
Por beson se, pasi ishte transferuar në një brigadë sulmi të zakonshme, sistemi i sigurisë së lartë dështoi.
Antoni tha se dëshironte që bota të dinte se shumë ushtarë rusë janë kundër luftës.
Organizata vullnetare që ndihmon dezertorët, “Idite Lesom” [“Ikni nga Pylli” ose “Humbni”], i ka thënë BBC-së se numri i dezertorëve që kërkojnë ndihmë është rritur në 350 në muaj.
Rreziqet për ata që arratisen janë gjithashtu në rritje. Të paktën një dezertor është vrarë pasi u arratis jashtë vendit, dhe ka pasur disa raste burrash që janë kthyer me forcë në Rusi dhe janë vënë në gjyq.
Megjithëse Antoni ka lënë Rusinë, ai thotë se shërbimet e sigurisë ende po e kërkojnë atje. “Unë marr masa paraprake këtu; punoj në të zezë dhe nuk shfaqem në asnjë sistem zyrtar.”
Ai thotë se ka ndaluar së foluri me miqtë e tij në bazën bërthamore, sepse mund t’i vërë ata në rrezik: “Ata duhet të bëjnë teste me detektor gënjeshtrash dhe çdo kontakt me mua mund të çojë në një çështje penale.”
Por ai nuk ka iluzione për rrezikun që po përballet vetë duke ndihmuar ushtarët e tjerë të arratisen.
“E kuptoj që sa më shumë që bëj, aq më të larta janë shanset që ata të përpiqen të më vrasin.”
Top Channel