“Atë e kishte karamele, qëllon deri në 1 mijë metër”, zbardhen planet në Sky Ecc të Suel Çelës për të ekzekutuar me snajper Ardian Çapjan, përse dështoi atentati

26/11/2024 22:01

SPAK ka arritur të zbardhë atentatin ndaj Ardian Çapjas, ngjarje e ndodhur në Elbasan më 8 qershor të vitit 2020.

Sipas informacioneve, urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Suel Çela.

Ka qenë snajperisti nga Shkodra, Prekë Kodra i cili është urdhëruar të qëllojë mbi të.

Kodra është në mesin e 21 personave ndaj të cilëve Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka lëshuar urdhër arrest pas megaoperacionit të zhvilluar dy ditë më parë.

Ka qenë bisedat e zbardhura në aplikacionin e botës së krimit Sky Ecc që kanë zbuluar tentativën e dështuar për të vrarë Çapjan.

Marjus Lulaj alias Suel Çela komunikon me një përdorues të paidentifikuar në Sky Ecc “kot pyta..po le Resheni…,e intereson gjë ta dish…është malazes…ai që ka gjujt…po…ai rrok deri në 1 mij metër…atë e ka pas karramele….po njifen….hahahaha…kismet….ka arrdh 5 her ky…smë ka hec….po një her do më heci…”.

Nga konteksti i bisedës dyshohet se Marjus Lulaj alias Suel Çela kishte informacione në lidhje me autorin e vrasjes së shtetasit Kastriot Reçi, ngjarje e ndodhur në Rrëshen në datën 07.01.2020. Vrasja e tij është kryer nga distanca me snajper.

Marjus Lulaj shprehet se autori i kësaj ngjarje është  një malazez i cili sipas tij është i aftë të realizojë qitje të saktë në distancë deri 1 mijë metra. Personi që dyshohet se kreu vrasjen e Reçit është Prekë Kodra, i cili është edhe snajperisti që qëlloi Çapjan.

Nga biseda dyshohet se Çela ka kontraktuar me të për realizimin e vrasjes dhe se e ka provuar 5 herë, por nuk i ka ecur.

Snajperisti nuk arriti ta vriste Ardian Çapjan, i cili mori një plumb poshtë supit në Krastë. Ai u dërgua në spitalin e Traumës ku iu nënshtrua një operacioni. Ai arriti të shpëtonte në atentatin e tretë ndaj tij.

Personat e përfshirë në atentatin ndaj tij janë Suel Çela, i cili ishte porositësi, organizatori dhe financuesi; vëllai i tij Mario Çela, i cili monitoroi situatën pas ngjarjes; Xhino Roka, i cili koordinoi veprimet në terren;  Prekë Kodra personi që qëlloi me snajper, si dhe 6 persona të tjerë.

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në nëntor të vitit të kaluar la në fuqi vendimin e shkallës së parë duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan së bashku me Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, nën akuzën e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 gusht të vitit 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA