Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me diasporën në Britaninë e Madhe komentoi edhe vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Viktima po merret si mish për top nga një grup personash, theksoi Rama, i cili shtoi se nisën aludime të pabaza pa u kryer ende ceremonia mortore e adoleshentit.
Sipas kreut të qeverisë, askush nuk pyeti për viktimën dhe të afërmit e tij që la pas.
Rama: Paga minimale ishte 150 euro dhe paga mesatare në shtet ishte 370 euro. Prodhimi i përgjithshëm kombëtar i vendit tonë ishte më pak se 10 miliardë euro dhe angazhimi i forcave të punës në punë ishte nën 50%. Siguria ishte përtokë, vrasjet kishin arritur në 115 mesatarja vjetore ose 1 në 3 ditë, por ishin bërë të zakonshme si kronika e motit dhe këtu më lejoni të bëj një parantezë. Çdo vrasje është një fatkeqësi dhe pastaj kur ndodh të merret një jetë krejt e re, tragjedia është e madhe, jo vetëm për familjen e atij që humbet jetën, por për të gjithë shoqërinë, por kur tragjedia e një vrasjeje e prek sot vendin tonë shumë më rrallë se deri dje, del në pah edhe për një arsye tjetër nevoja që Shqipëria ka nevojë për ju dhe për votën tuaj dhe të të gjithë atyre që jetojnë në botën e lirë.
Pse e them këtë në këtë pjesë?
Një fëmijë vritet tragjikisht nga një fëmijë tjetër, por në vend se të ketë respekt e vetëpërmbajtje në nderim të viktimës dhe të familjarëve, reflektim të përbashkët dhe angazhim të të gjithëve në kërkim të më të mirës, siç ndodh për shembull në Amerikë, kur plumbat e armëve prodhojnë masakra nëpër shkolla apo dhe këtu në Britani, ku krimi prek një jetë të pafajshme, ndërsa në Shqipëri fryhen me një ngut kriminal, kanalet e ujërave të zeza të politikës dhe të medias.
Askush nuk pyet më për viktimën, as për familjen e viktimës, as për dhimbjen e të afërmve, as për nevojën e komunitetit për të gjetur rrugë dhe për të kuptuar së bashku cili është roli i gjithësecilit në rrugën më tutje, por kush të mundet përpiqet ta tërheqë opinionin publik në ato kanale, duke ushqyer urrejtje, nxitur ndasi, duke e përzier shqetësimin e të vërtetës me helmin e gjithëfarë gënjeshtrave e duke tjerrë me ditë e net lloj-lloj fjalësh e teorish, sajuar lloj-lloj marifetesh dhe deri në protesta kundër qeverisë për ta kthyer viktimën në mish për topat e interesave të politikës dhe biznesit mediatik.
Ku bën vaki, ju jeni këtu, ju jetoni këtu, ju ndiqni këtu jetën e përditshme të një vendi kaq të madh, të një vendi kaq të pasur, të një vendi me kaq shumë gjëra për të admiruar, por edhe me plot probleme. Ku bën vaki, në cilin vend demokratik që pa u varrosur ende kufoma e një viktime të pafajshme të dalin të gjithë djajtë nga shishet dhe t’ia marrin valles, valles të luftës për pushtet, valles së mllefeve, inateve, të ndasive duke shkelur mbi trupin e të ndjerit dhe duke shqelmuar trurin e njerëzve të lënduar me plot të drejtë prej tragjedisë?
Sa më shumë bien shifrat e vrasjeve në Shqipëri, sa më shumë rritet siguria e Shqipërisë, se jo më kot miliona e miliona turistë të huaj që vijnë, tre gjëra përsërisin; shqiptarët, mikpritja e tyre, ushqimi dhe siguria dhe ju e dini më mirë sesa kushdo që e shikon Britaninë e Madhe nga larg se ç’do të thotë të çosh fëmijën në një shkollë aty ku është një lagje të pasurish dhe të çosh fëmijën në një shkollë aty ku është një lagje jo dhe aq e pasur. Kudo ka probleme, kudo ka sfida, kudo ka përpjekje, por në Shqipëri gjithçka, çdo hap përpara, çdo arritje, çdo afrim me Europën përpiqet të zhbëhet me patjetërsinë e mllefit.
Top Channel