Milioneri afrikano-jugor përçan qytezën angleze duke blerë vilën, barin, dyqanet e vendasve (fotot)

21/11/2024 15:36

Një biznesmen miliarder dhe gruaja e tij kanë përçarë një qytezë të qetë në jug të Anglisë duke blerë pronat dhe bizneset për të tërhequr të pasurit dhe ndryshuar identitetin e vendit.

Manjati afrikano-jugor Koos Bekker, 71 vjeç dhe gruaja e tij Karen Roos raportohet se kanë një pasuri prej 3 miliardë dollarë nga bizneset e tyre të telekomunikacioneve, dhe listohen në vendin 1,286 në listën e të pasurve të revistës Forbes.

Dhjetë vjet më parë ata blenë fillimisht pronën me vilën e vjetëruar Hadspen për 12 milionë paundë dhe tani po e kthejnë në një hotel luksi të quajtur ‘The Newt’ ku një natë mund të kushtojë deri në 700 paundë.

Vendasit e qytezës Castle Cary kanë mbetur të shtangur pasi të ardhurit e rinj kanë blerë barin dhe kafenenë e qytetit për ta rinovuar, duke bërë që rritja e çmimeve t’i detyrojë të largohen nga qyteti tyre.

Edhe më herët rrjeti MailOnline kishte raportuar sesi vërshimi i të huajve në qytezat angleze po detyron vendasit të largohen nga rritja e çmimeve teksa qiratë dhe çmimi i shtëpive në Castle Cary është rritur tashmë me 23.9 përqind.

Duke folur për rrjetin The Telegraph, këshilltari bashkiak vendas Henry Hobhouse – paraardhësit e të cilit jetonin në Hadspen House – thotë se shpenzimet e reja po e bëjnë vendin të preferuar nga të pasurit e Londrës.

Ndërkohë Bekker vijon të blejë pronat në rrugën kryesore të qytezës, mes të cilave restorantin, dyqanin e rrobave, dyqanin ushqimor dhe sallonin e bukurisë, teksa ‘pronari’ ri po forcon kontrollin ndaj të gjithë zonës.

Gjithashtu bari kryesor i qytezës ‘The George’ – i cili është prej 600 vjetësh në rrugën kryesore – është blerë nga Bekker dhe vitin tjetër mbyllet për rinovime.

Por 37 vjecarja vendase Pip Francis, që punon aty si barist, tha për rrjetin MailOnline: “Të them sinqerisht, kjo që po ndodh është … e keqe”

“Unë nuk e dua këtë, ndërsa fshati është i përçarë pasi nuk i kuptojnë pasojat”.

“Kur ata erdhën nëntë vjet më parë thanë se do të punonin për vendasit dhe të tërhiqnin turistë, por tani po blejnë gjithçka dhe po e kthejnë vendin në monopol”.

“Bizneset janë larguar nga ndërtesat që ata kanë blerë megjithëse kanë punuar aty prej vitesh”, tha gruaja.

Pip shtonte se çifti inkurajon gjueti dhelprash në tokën e tyre dhe kjo ka zemëruar edhe më shumë vendasit.

Në një transmetim në rrjetin Somerset Live, vendasi Mark Telling nxiste vendasit të bojkotonin bashkëpunimin tregtar me të ardhurit, duke përfshirë hotelin dhe bizneset e blera prej tyre.

Vendasi Colin Stewart tha: “Nëse shkoni në barin e restorantin e tyre kjo do të thotë se ti mbështet gjuetinë e dhelprave pasi ata e nxisin këtë në tokën e tyre”.

Deri tani asnjë nga çifti i njohur si ‘The Newt’ nuk ka komentuar mbi zhvillimet, shkruan Daily Mail.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA