Djegia e kallamishteve me qëllim rritjen e sipërfaqes së kultivueshme bujqësore po çon drejt zhdukjes finale Liqenin e Prespës së Vogël.
I konsideruar si një prej pasurive natyrore më të rëndësishme të vendit, pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës, ky liqen i cili në një pjesë të konsiderueshme është moçalizuar dhe mbushur me kallamishte, përgjatë ditëve të fundit është përfshirë nga flakët.
Sipërfaqja e djegur arrin rreth 40 ha dhe sipas ekspertëve dëmi i shkaktuar është fatal për ekosistemin pasi janë shkatërruar habitatet e pelikanit kaçurrel dhe gjallesave të shumta që strehohen aty.
Sipas banorëve të fshatrave që shtrihen përreth liqenit fenomeni i zjarreve në këtë zonë është i përsëritur dhe pavarësisht dëmit që shkaktohet nuk njeh të ndalur.
Rastet e zjarreve në liqenin e Prespës së Vogël janë të përvitshme, dhe nisin nga pjesët anësore ku kalon rruga duke depërtuar në brendësi të liqenit, ndërsa Shërbimi Zjarrfikës mbetet duarlidhur në ndërhyrjet e tij për shkak të terrenit.
Top Channel