Ndërtoi pa leje ose në tejkalim të saj, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq biznesmenin Julian Morina

16/11/2024 10:58

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dërgoi në gjyq biznesmenin Julian Morina dhe Shoqërinë “Xheluks Construksion” shpk për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’.

Gjatë hetimeve, theksohet në njoftimin zyrtar, mbi disa procedime penale të regjistruara për të dhe kompaninë që ai administron, për periudhën 2021-2024, u konstatua se kjo shoqëri tejkaloi lejet e ndërtimit të marra për godina banimi dhe shërbime në disa raste.

Më konkretisht, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Partë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se tek Liqeni i Thatë, në Farkë, shoqëria ‘Xheluks Construksion’ ishte pajisur me leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbime 1,2,3,4,5 dhe 6 kate me 2 dhe 3 kate nën tokë dhe në tejkalim të saj ka shtuar sipërfaqe ndërtimi dhe volum shtesë prej 2500m2. Ndërkohë që nga kontrollet në terren, u konstatua edhe një objekt tërësisht i ri me 7-kate dhe dy kate nën tokë, i ndërtuar pa leje ndërtimi me sipërfaqe 4622 m2. Subjekti tejkaloi lejen e ndërtimit edhe në godinat e tjera në këtë zonë, duke krijuar sipërfaqe shtesë në lartësi dhe volum me rreth 3065.8m2.

Po kështu, prokuroria administroi ekspertimin teknik në lidhje me punimet e kryera po nga kjo shoqëri në Rr. Elbasanit, nga ku rezultoi se një pjesë e tyre kanë dalë jashtë lejes së miratuar. Në objektin ‘Godinë banimi dhe shërbimi’ 4,5,6 dhe 7 me 2 kate parkim në Rr. Elbasanit, u regjistrua një shtesë ndërtimi prej 5866.88m2.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria vlerëson se shtetasi J.M. duhet të përgjigjet para ligjit për ndërtimet e paligjshme të kryera nga shoqëria ‘Xheluks Construksion’ shpk dhe për tejkalim të lejes së ndërtimit me një sipërfaqe totale prej 15.974.88m2.

Hetimet provuan se janë konsumuar elementët e Veprës Penale të ‘Ndërtimit pa leje parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal nga shoqëria ‘Xheluks Konstruksion’ dhe shtetasi J.M.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA