Video/ Parlamentarët Maori në Zelandën e Re prishin seancën me ‘vallen e forcës’ në protestë ndaj ligjit për indigjenët

15/11/2024 16:13

Parlamenti i Zelandës së Re u ndërpre dje për disa orë pasi anëtarët e tij nga popullsia indigjene Maori nisën vallen tradicionale “haka” në protestë ndaj një ligji që ndryshon traktatin 184-vjeçar mes britanikëve kolonizues dhe vendasve indigjenë.

Ligji i hartuar në 1840 mes mbretërisë britanike dhe 500 krerëve të fiseve Maori cakton parimet e qeverisjes mes dy vendeve, dhe këto klauzola udhëheqin edhe sot legjislacionin në vend.

Zyrtarët thonë se gjatë viteve të drejtat e popullit Maori janë zgjeruar por shumë argumentojnë se ligjet po kufizojnë gradualisht të drejtat e qytetarëve vendas.

Teksa parlamentarët u mblodhën dje për të votuar versionin e ri të ligjit, deputetja Te Pati dhe të tjerë anëtarë Maori u ngritën në këmbë për vallen e forcës ‘haka’, kënga e kërcimi tradicional Maori që është bërë i famshëm nga skuadra kombëtare e regbisë neo-zelandeze.

Spektatorë në sallë gjithashtu iu bashkuan kërcimit duke shprehur indinjatën e tyre për ndryshimet e ligjit.

Populli Maori përbën rreth 20% të banorëve të Zelandës së Re, shkruan rrjeti CNN.

Zhvillimi vjen teksa qindra njerëz kanë marrë pjesë në marshimet nëntë-ditore të njohura si ‘hikoi’, nga veriu i Zelandës së Re deri në kryeqytetin Wellington për të protestuar ndaj ndryshimeve.

Ligji ka kaluar në leximin e parë, por nuk pritet të grumbullojë mbështetjen e nevojshme për të ardhur në fuqi, shkruan rrjeti CNN.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA