Bashkimi Demokratik për Integrim këmbëngul për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme duke e përshkruar këtë si të vetmen mënyrë për nxjerrjen e vendit nga kriza.
Partia opozitare e përsëriti kërkesën e saj, pavarësisht se më herët kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski theksoi se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur. “Qeveria ka axhendën e saj”, u shpreh ai, “dhe nuk ka ndërmend të shpenzojë në kurriz të qytetarëve me organizime të tilla”. Përmes një deklarate për shtyp, BDI tentoi të argumentonte se përse i konsideron zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje për krizën e legjitimitetit dhe parakusht për mirëqenien ekonomike.
“Pretendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, krahas zgjedhjeve lokale nuk është thjesht një kërkesë politike, por një mundësi demokratike që të gjitha palët të konfirmojnë besimin popullor.. Ne jemi të gatshëm të përballemi me votuesit dhe të angazhohemi në një proces transparent që reflekton vullnetin e çdo qytetari. Në kohë si këto, qytetarët meritojnë liderë që nuk i shmangen sfidave të demokracisë, por i përqafojnë ato me gjithë zemër. Ne jemi këtu, të përgatitur dhe të sigurt në mandatin që kemi nga populli”, thuhej në deklaratë.
Të enjten, ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut u kthye në temë diskutimi nga njohës ligjorë, një muaj para se Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë për fatin e tij. Ky ligj ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, bashkë me Balancuesin, i cili u shfuqizua më 9 tetor nga ajo
. Të dyja këto çështje u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut, parti kjo që i kishte kundërshtuar më herët të dyja ligjet.
Top Channel