Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për media zbuloi detaje nga protesta e 19 nëntorit dhe qëllimin e saj.
“Do të ketë mobilitet, brenda dhe jashtë parlamentit. Qëllimi ynë është të miratohet amendamenti që vendos minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, apo që nuk merr asgjë.
Pra ky është një hap i parë i një rëndësie jetike për të shuar, ulërimin e sirenave të mjerimit dhe varfërisë anë e kënd vendit. Natyrisht këto sirena ulërinë më shumë se kudo tjetër, tek pensionistët shqiptarë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri gjithashtu shpalosi sot programin për biznesin të Partisë Demokratike.
“PD zotohet për zbatimin me rreptësi të ligjeve të konkurrencës dhe garanton garë të ndershme për bizneset shqiptare. Ajo zotohet të hapë ekonomike mbi bazën e rregullave të forta, ligjeve të zbatuara për biznesin ndërkombëtar.
Po vizioni ynë janë taksat e ulëta. Edhe njëherë, ne garantojmë biznesin se përgjysmimi i taksave mbetet shtyllë kryesore e programit tonë. Roli i qeverisë do jetë i kufizuar dhe vetëm i kufizuar në mënyrë që sipërmarrësit të gëzojnë lirinë që meritojnë për suksesin e bizneseve të tyre.
Një nxitje të veçantë do ketë inovacioni, sipërmarrja, start-upet, kreditë e buta për të rinjtë, pra qeveria do bëjë gjithçka të favorizojë dhe mbështesë biznesin. Një fond i fuqishëm do garantojë eksportet e shqiptarëve. Vetëm një ekonomi që eksporton është një ekonomi që bazohet mbi prodhimin. Shqipëria është një nga vendet me pasuritë më të mëdha, me një potencial të madh eksporti, por edhe prodhimi të brendshëm industrial.
Ndaj dhe ne në programin tonë, duke përcaktuar si shtyllë kryesore të këtij programi ekonominë, zotohemi që në një periudhë të shpejtë, së pari të shndërrojmë rritjen ekonomike në mirëqenie, përmirësim të buxhetit të qytetarëve shqiptarë dhe së dyti, me një klimë miqësore ndaj biznesit të nxisim gjithnjë e më shumë suksesin, të mbështesim suksesin e tij”, tha Berisha.
Top Channel