Historia tragjike e Mondit/ Gruaja i ndërroi jetë 43 vjeç nga kanceri, ai i vetëm me dy fëmijë! I fortë, por mes shumë vuajtjesh

15/11/2024 22:56

“Për Shqiptarët”

Edmondi ose siç e njeh gjithë Tirana; Mondi, është sot 59 vjeç.

Them e njeh gjithë Tirana, sepse është e pashmangshme të mos hedhësh sytë drejt një burri që punon nga mëngjesi deri në mbrëmje në çdo rrugë e qoshe të qytetit, që lodhet pafund, por nuk e heq kurrë buzëqeshjen nga fytyra e nuk thotë kur jo.

Mondi lindi në Tiranë nga dy prindër Përmetar. Ka jetuar një fëmijëri të varfër por të qetë, në një familje ku bashke me prindërit kishte edhe një motër dhe një vëlla.

Në shkollë ka qënë nxënës i shkëlqyer e sidomos në matematikë. Zgjidhte në kohë rekord çdo problem por kur u rrit, problemet e jetës që i erdhën më pas, do ishin aq të lehta për t’u zgjidhur.

Mondi jetoi për 26 vite regjimin komunist, ku kreu ushtrinë, e punoi me çfarë t’i ofrohej. Dëshironte të kryente shkollën e lartë, por babai i tij duke patur një djalë të larguar jashtë Tiranës, i kërkoi Mondit të mos i linte vetëm, sepse partia mund edhe ta emërtonte me punë diku jashtë qytetit.

Mondi la përgjysmë ëndrrat për tu shkolluar, për të qëndruar pranë prindërve. Kreu ushtrinë më pas punoi në minierë gati 2 vite, ka punuar  si mekanik, si nënoficer, e më vonë do të kryente një kurs për shofer tanku, ku do të punonte derisa reparti ushtarak të mbyllej në vitin 94’’.

Mondi u martua me Vangjelinë dhe solli në jetë djalin e parë Kristin, që është sot 26 vjeç. E 9 vite më vonë Frankon, djalin e vogël.

Me ndërrimin e sistemit nuk e pati të lehtë të gjente një punë. Nisi të shiste në rrugë si shitës ambulant bashkë me të shoqen, por për mungesë të lejes nuk mundën ta vazhdonin si aktivitet.

Shisnin në rrugë aq herë sa mundeshin, por ishte vështirë të përballonin jetesën. Në familje ishin 4 persona, shtëpia kishte shpenzime, djemtë po rriteshin, do të duhej t’i shkollonte dhe Mondi vendosi që me ato pak lek që kishte të blinte një karrocë, me të cilën do transportonte elektroshtëpiake të ndryshme që njerëzit blinin ose kërkonin të nxirrnin nga shtëpia. Mondi qëndronte në rrugë, pranë çdo dyqani ku njerëzit blinin, pranë tregjeve ku bliheshin ushqime dhe njerëzit nuk kishin makinë t’i dërgoni  në shtëpi.

Mondi ishte vetëm një telefonatë larg. Ai nuk vendoste çmim, mjaftohej me sa t’i jepnin, me sa ta shikonin të arsyeshme. Ndonjëherë i jepnin më shumë seç mendonte, e ndonjëherë më pak, por Mondi ishte gjithmonë falenderues.

Nuk i përtohej punës, pavarësisht se ishte dimër apo verë. Mondi dilte nga shtëpia gjithmonë me shpresën se edhe ajo ditë do ta nxirrte faqebardhë. Nuk do të kthehej në shtëpi duarbosh, për fëmijët e mi, të cilëve sigurisht nuk ka mundur t’I plotësonte më shumë se sa nevojat bazike.

Jeta për Mondin do të vështirësohej edhe më shumë, kur 7 vite më parë, bashkëshortja vetëm 43 vjeç, do të ndërronte jetë nga kanceri. Një sëmundje që nuk i la më shumë se 2 javë kohë jetë, nga dita që zbuluan lajmin.

Mondi do të ngelej i vetëm me dy djemtë e tij. Do të duhej të punonte për ta, të kujdesej për ta, të gatuante për ta.

Shtëpisë i mungonte aroma e nënës, darka që i mblidhte të gjithë bashkë pavarësisht ditëve të gjata të punës, I mungonte energjia e saj, I mungonte ajo me të cilën mund të ndante hallet pa u dashur të shqetësonte djemtë.

Mondi thotë se merakun e madh e kishte për ta. Kishte frikë se si do ta përjetonin humbjen e nënës në mënyrë kaq të papritur.

Disa muaj më parë kishte dëgjuar që një djalë i ri, ishte vetëvrarë pak javë pas humbjes së të ëmës dhe Mondi nuk e bënte gjumin e qetë për djemtë e tij.

Nënën nuk ua zëvendësonte dot, por mundohej t’i mbante sa më aktiv, të dilte me ta, të sigurohej t’iu plotësonte diçka më shumë, mbase edhe ti llastonte pak më shumë seç duhej, por kishte frikë, kishte vërtet frikë për drejtimin që mund të merrnin.

Mondi kujtonte kohët me bashkëshorten, kur ishin prindër vetëm të Kristit, djalit të parë. Kishin menduar se një fëmijë është pak, por me mundësitë që kishin thonin se edhe 2 fëmijë ishin shumë. Mondi nuk ka dashur që fëmijët të vuanin varfërinë e prindërve. Por ishte dëshira e vazhdueshme e Kristit për të patur një motër ose një vëlla. Kërkesë që i bëri prindërit ta rimendonin ardhjen në jetë të një fëmije të dytë. Dhe kështu lindi Franko. Për të cilin Mondi është i lumtur që sot e ka krahë.

2 vite më parë djali shkoi të emigronte në Greqi, të niste një jetë të re, pa e rënduar babain e tij, ndërsa Franko qëndron me të.  Është vetëm 15 vjeç, por Mondi ndihet keq që i ka ngarkuar halle para kohe. Frako e ndihmon sa herë që ka punë të rënda, që mundi nuk ka më fuqi t’i kryej, por punës nuk i thuhej Jo dhe ky është parim në familjen e tyre.

Mondi nuk ka kërkuar kurrë ndihmë, por është munduar të zgjidh çdo gjë vetë. Për Mondin na kanë shkuar shumë, e kanë kërkuar që t’i hapnim një derë, për t’i treguar se në jetë çdo gjë shpërblehet, edhe  një buzëqeshje edhe një zemër e bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA