“CV e jetës” një shfaqje kushtuar poetit të ndjerë Petrit Ruka, poezisë dhe kontributit të tij të veçantë në grumbullimin dhe risjelljen e vlerave të folklorit të Jugut, historisë, jetës, familjes, erotizmit dhe natyrës njerëzore erdhi nën interpretimin e Egla Ceno dhe Kudret Alikaj në Tepelenë njëkohësisht vendlindja e poetit.
CV-ja e Petrit Rukës dhe vargjet folën me të afërm, familjarë, miq, njerëz që e njohën e që nuk e njohën kurrë.
Shfaqja e tejkaloi kontekstin e thjeshtë të një mbrëmjeje poezie dhe i risolli karakteret e vjershërimit të poetit të prekshëm, të gjallë dhe njerëzorë. Balada e Dilisë e krijuar duke ja huazuar motivet folklorit përcolli shumë emocion për të pranishmit. Dy protagonistët e shfaqjes besojnë se Petrit Ruka duhet kujtuar për dimensionin shumë të lartë që i dhuroi poezisë dhe gjuhës shqipe, për humanizmin, ndjeshmërinë, patriotizmin dhe shpirtin e lirë.
“Është një poet kombëtar për vendin tonë e sidomos për poezinë e Jugut ndoshta është nga poetët më afër shpirtit të labit. Duke njohur veprën e Petrit të gjithë ne kishim bërë një përzgjedhje që për herë të parë prumë në skenë edhe një baladë që ishte balada e Dilisë, që është vërtetë një kryevepër e autorit. Nga Petrit Ruka duhet të mbahet mend fjala e bukur shqipe, mesazhet që jep. Ka shkruar për atdheun, për njerëzit për problemet.“-u shpreh Kudret Alikaj, aktor.
“Unë Petritin e njihja personalisht. Poezinë ja kam njohur edhe para se të mungonte nga kjo jetë dhe i jam afruar edhe pasi mungoi nëpër rrjetet e mia sociale dhe kam edhe një poezi të tij që e lexoj sepse më prek telat e shpirtit sepse bën një shfaqje me poezitë e Petrit, dmth bën dialog. Ka brenda dashuri, eros, pasion, trishtim, tragjedi, ka ujëra, ka dinamikë dhe e marrtë dreqi është Petrit Ruka dhe ja ku ishim sot në shtëpinë e tij”-u shpreh Egla Ceno.
Petrit Ruka u nda nga jeta në korrik të vitit 2021 në moshën 67 vjeçare. Ai ishte poet, regjisor, skenarist i filmit artistik, dokumentar e vizatimor por studuesit e veprës së tij besojnë se kontributi që e ka bërë atë unik ishte poezia. Petrit Ruka ringriti disa nga legjendat, mitet e baladat lokale në nivelet e poezisë moderne. Poezitë e tij për Naimin, atdheun, plagët e emigrimit, familjen, prindërit, dashurinë janë vlerësuar mes kulmeve të poezisë dhe identitetit shqiptar.
Shfaqja do të vijë pas Tepelenës edhe në Gjirokastër, qytet me të cilin Petrit Ruka pati një raport të veçantë për shkak të miqve, bashkëpunëtorëve dhe sfondit frymëzues për krijimtarinë.
Top Channel