Tragjike! Ndërron jetë pas një aksidenti me makinë, futbollisti i kombëtares së Ekuadorit

12/11/2024 10:40

Futbollisti i kombëtares së Ekuadorit, Marco Angulo, ka ndërruar jetë tragjikisht në moshën 22-vjeçare.

Angulo u përfshi në një aksident në kryeqytetin e Ekuadorit, Quito, më 7 tetor, përpara se të dërgohej me urgjencë në spital.

Përplasja me makinë kishte ndodhur në autostradën Rumiñahui në juglindje të Quitos në orën 4:30 të mëngjesit.

Ndërsa ishte në spital ai iu nënshtrua një operacioni që nxori 300 centimetra kub gjak për të çliruar presionin brenda kokës së tij të shkaktuar nga trauma e pësuar. Angulo kishte pësuar gjithashtu një kontuzion të mushkërive që kërkonte vendosjen e një tubi në gjoks, megjithëse nuk u gjet asnjë gjakderdhje aktive.

Megjithatë, 35 ditë pas përplasjes më 11 nëntor, Angulo u konfirmua se kishte ndërruar jetë nga plagët e rënda.

Ai po udhëtonte me një Ford Explorer të regjistruar në emrin e motrës së tij me katër persona të tjerë kur ndodhi aksidenti, ku dy prej tyre humbën gjithashtu jetën.

Makina mësohet se pasi nuk ka ndjekur sinjalistikën rrugore është përplasur me një strukturë metalike.

Angulo luajti për klubin ekuadorian LDU Quito në huazim nga skuadra e Major League Soccer, FC Cincinnati.

Mesfushori, i cili bëri debutimin e tij profesional vetëm në vitin 2020, kishte luajtur dy herë me ekipin kombëtar të Ekuadorit. Paraqitja e tij e fundit kishte ardhur në një fitore 2-1 ndaj Australisë në mars 2023.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA