“Nuk kemi një individ që bën diferencën, ekipi është në harmoni”/ Fakaj për Kombëtaren: Pas Europianit, entuziazmi ra

12/11/2024 08:39

Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e saj të fundit në Ligën e Kombeve përballë Republikës Çeke të shtunën e 16 nëntorin dhe tre ditë më vonë do të presë Ukrainën, të dyja në “Arenën Kombëtare”.

I ftuar në “Procesin Sportiv”, ish-futbollisti i Kombëtares, Ervin Fakaj ka komentuar gjendjen e skuadrës kuqezi, duke u shprehur se ekipi është në harmoni dhe ia ka dalë dhe pa lojtarët më të mirë në fushë, duke shpresuar për pikët maksimale në këto dy takime.

“Unë besoj se ekipi Kombëtar ka treguar këto kohët e fundit që nuk është një repart ose një individ që ka bërë diferencën, por kur ekipi ka qenë në harmoni të plotë, ka qenë i gjithi aty, të gjithë për një e një për të gjithë. Unë besoj se atë kemi armën më të fortë. Nuk kemi asnjë individ, nuk kemi asnjë repart.

Fillimi i kësaj Nations League, harmonia dhe entuziazmi kishte një farë rënie pas Europianit. Por mendoj se me këto dy ndeshjet e fundit jemi rikthyer disi dhe në këtë aspekt jemi në kohën e duhur për t’i zhvilluar këto dy ndeshje.

Ajo që më mundon pak është fakti që këto kohët e fundit, ndoshta dhe për fat të keq, disa lojtarë kyç, deçiziv, një ose dy ndeshje para se të na vijnë në grumbullime, për fatin e tyre të keq kanë pësuar dëmtime dhe kjo e ul pak cilësinë. Por mendoj se kemi kualitet mjaftueshëm, gjë që e ka treguar dhe koha që ne mos ta ndjejmë mungesën e askujt.

Ylli ose lojtari jonë më i spikatur është Broja në cilësi apo kualitet, ndërkohë që shumicën e lojërave ai ka qenë i dëmtuar për fatin e tij të keq dhe ne nuk e kemi ndjerë deri diku.

Gjithashtu Gjimshiti mungoi herët e kaluara dhe Ajeti me Ismajlin kanë bërë ndeshje të mira. Kështu që mendoj se ne i kemi kualitetet dhe cilësitë për të bërë 11-shen dhe nëse kemi harmoninë e duhur, kemi entuziazmin e duhur, së bashku me stadiumin, mund t’ia dalim pa problem”, u shpreh Fakaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA