Masakra me katër viktima në Dobraç/ AMP dërgon për hetim policët që ishin në vendin e ngjarjes, zbulohet arsyeja

12/11/2024 13:52

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës ku akuzon efektivët e policisë së Shkodrës për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën me 4 viktima në Dobraç.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas burimeve, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Buhatit.

Ende mbetet mister personi që del në videot e filmuara pak minuta pas masakrës.

Atentati me 4 të vrarë në zonën e Dobraçit në Shkodër më 30 tetor i kaloi për hetim SPAK-ut një ditë më parë. Prokuroria dyshon se krimin e ka kryer një grup i strukturuar kriminal.

Nga elementët që ka gjetur policia lokale e Shkodrës dhe Prokuroria e Shkodrës ka dyshime dhe bindjen se vrasjet u kryen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Krimet e kryera në kuadër të grupit të strukturuar janë kompetencë e SPAK dhe për këtë arsye i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme për hetime më të thelluara, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Sapo dosja të administrohet në protokoll, pritet të hidhet shorti prej nga ku do të caktohet grupi hetimor i posaçëm.

Si ndodhi ngjarja?

Një makinë në lëvizje me autorët qëlloi me armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit më 30 tetor.

Lici ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë dhe ndërroi jetë më vonë.

Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.

Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.

Në këtë masakër, të vdekur mbetën edhe çifti i qytetarëve që po udhëtonte më motor në momentin e atentatit.

Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.

Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha disa ditë më vonë në spital.

Një makinë tip Land Rover model i ri i djegur u gjet në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj u gjetën dy automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat.

Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.

Pista kryesore e vrasjes është përplasja mes grupeve të Shkodrës, ndërsa dyshohet për dy autorë të shpallur në kërkim, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA