“Ishte i alkoolizuar, njërin e goditi në fytyrë”/ Gazetarja jep detaje nga ngjarja e rëndë në Ferizaj, si paraqitet gjendja e të plagosurve

11/11/2024 21:17

Gazetarja Leonita Bajrami raportoi për “Top Story” detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Ferizaj.

Ajo tregoi se njëri nga personat e plagosur është në gjendje të rëndë, ndërsa dy vajzat dhe 30-vjeçari janë në jashtë rrezikut për jetën.

“Ishte i alkoolizuar dhe me probleme mendore. Ai kreu sulmin në Ferizaj, pasi ndoqi pas dy vajzat e mitura, njëra 10-vjeçare dhe tjetra 14. Në hyrje të shtëpisë ku ato po qëndronin i godet me thikë nga pas. Ai ka vazhduar sulmin edhe në një rrugë më sipër ku ka sulmuar një 30-vjeçar, sulmin e katërt e ka kryer rreth 1.1km më larg duke goditur një person rreth të 30-tave. Ai është arrestuar rreth 3 km larg vendit të ngjarjes.

Sa i përket gjendjes shëndetësore të plagosurve, personi i tretë i sulmuar është në gjendje të rëndë. Ai ka lëndime në pjesën e fytyrës dhe do t’i nënshtrohet një operacioni tjetër. Edhe 10-vjeçarja ka mbërritur me lëndime të rënda por gjendja është stabilizuar. Dy të tjerët janë jashtë rrezikut.  Si duket persona që ishin në afërsi kanë reaguar në drejtim të të plagosurave. Banorët janë shprehur se ishte i alkoolizuar. Sulmuesi është i komunitetit shqiptar, tre të lënduarit janë të komunitetit të pakicës dhe një tjetër shqiptar”-raportoi gazetarja Leonita Bajrami.

Top Channel