
Gjykata e Romës ka marrë sot një tjetër vendim kundër qëndrimit të emigrantëve të kapur në det nga Italia, në kampet e ngritura në Shqipëri.
“Eksperimenti me Shqipërinë” shkruajnë mediat vendase ka marrë një tjetër goditje.
Po sipas tyre, seksioni i imigracionit në gjykatën e Romës ka referuar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë çështjen e grupit të dytë të emigrantëve të ndaluar në qendrën e Gjadrit, duke pezulluar masën e vlefshmërisë së ndalimit. Ky vendim detyron shtatë emigrantët egjiptianë dhe bangladeshas të kthehen në Itali.
Një vendim i mëparshëm i gjykatës anuloi mbajtjen e grupit të parë të emigrantëve në kampet e ndërtuara në Shqipëri. Emigrantët u transferuan në Bari me anijen Libra që i solli përtej Adriatikut. Pas këtij vendimi, qeveria italiane nxori një dekret ligjor që rishikonte listën e vendeve të konsideruara të sigurta për riatdhesim. Por kësaj herë Gjykata e Romës thotë se kriteret për përcaktimin e një shteti si vend të sigurt të origjinës i përcakton ligji i Bashkimit Evropian dhe prandaj i takon Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të vendosë për rastin në fjalë.
Ngritja e kampeve në Shqipëri i ka kushtuar mijëra euro shtetit italian, qendrat e akomodimit janë funksionale prej një muaji por ende bosh. Megjithatë kryeministrja GIORGIA Meloni i sheh kampet në Shqipëri si një mënyrë për të vetëfrenuar emigrantët që nisen drejt Italisë, sic ndodhi me kalimet në La Mansh kur qeveria angleze nisi projektin për dërgimin e emigrantëve në Ruanda.
Top Channel