Ankimuan masën e arrestit me burg, caktohet gjyqtarja që do të shqyrtojë vendimin për Metën dhe Çyrben

11/11/2024 13:36

Apeli i GjKKO ka caktuar gjyqtaren që do të shqyrtojë ankimimin e masës ‘arrest me burg’ për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja.

Igerta Hysi është gjyqtarja e zgjedhur sipas shortit, e cila do të vendosë nëse kreu i PL do të qëndrojë në qeli, i akuzuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash.

Të njëjtat akuza rëndojnë edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin, e cila gjithashtu ka ankimuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe do të gjykohet nga e njëjta gjyqtare.

Kjo e fundit do të marrë vendimin edhe për Çyrben, i cili ndodhet në arrest me burg, pasi hetimet zbuluan përfshirjen e tij në botën e krimit, duke raportuar për aksionet e policisë apo duke shpërndarë informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror.

Njoftimi i plotë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 59 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim J.Ç. dhe A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 126, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 129, datë 22.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi.

Gjithashtu, kjo gjykatë regjistroi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi.

Top Channel