Boshllëqet e dobësitë në sistemin e “vizave” dhe emigracionit drejt Anglisë kanë lejuar në vend qindra vrasës, përdhunues e pedofilë, që më pas marrin dhe asistencë nga taksapaguesit vendas, raportonin sot mediat vendase.
Shifrat e policisë vendase për shkelësit kriminalë tregonin për një rritje të ndjeshme tre vitet e fundit të të dënuarve nga vende të Evropës Lindore, që ishin dënuar më parë në vendet e tyre për të njëjtat krime të dhunshme, por kjo nuk ishte marrë parasysh nga sistemi britanik i drejtësisë dhe emigracionit.
Të dhënat e rrjetit vendas ‘The Telegraph’ thonin se agjencia shtetërore ACRO kontrolloi 317,757 të dhëna kriminale mbi të huajt te arrestuar e të dënuar në Britani.
Sondazhi mbi ‘pesë kombësi më problematike’, pa i permendur ato, përcaktonte 524 raste krimesh kur autorët ishin dënuar edhe në vendet e tyre të origjinës për vrasje, përdhunime, abuzim seksual dhe abuzim seksual ndaj të miturve, shkruan rrjeti Daily Mail.
Megjithë në dukje ashpërsimin e ligjeve post-Brexit për pranimin e kriminelëve në vend, aktualisht aplikuesve për vizë i kërkohet vetëm të deklarojnë vullnetarisht që nuk kanë kryer krime të rënda para ardhjes në Britani.
Një zyrtar i lartë i emigracionit tha dje për mediat: “Ka dobësi në sistemin aktual pasi të dhënat kriminale të shumë vendeve nuk janë në rrjet, prandaj kriminelët e huaj ekspozohen në Britani vetëm pas arrestimit këtu”.
Një prej rasteve të profilit të lartë është lituanezi Vitautas Jokubauskas që vrau partneren e tij Ramute Butkien në Peterboroughne veri te Anglise, i cili deklaroi më pas në polici se vetëm “e kishte mbytur pak”, për ta frikësuar.
Gjatë gjyqit të tij u mësua se ai ishte dënuar në Lituani për vrasje në 1992 teksa kishte vrarë një burrë gjatë një sherri.
Në një tjetër rast të rëndë, 26 vjeçari Raimondas Jakstas, kishte kryer pesë vjet burg për rrahje të rëndë në vendin e tij, por të njëjtën bëri dhe me fqinjin e tij Steve Foster kur ky i fundit i kërkoi të mos bënte zhurmë.
Lituanezi kishte kërcënuar të vriste burrin dhe qenin e tij dhe kishte goditur me shkelm derën e shtëpisë.
Zoti Foster, i cili jetonte në apartamentin sipër Jakstas, kishte ngritur barrikadë te dera e tij kryesore për të mos e lënë të hynte kërcënuesin dhe më pas kishte thirrur policinë kur refugjati kishte futur një thikë në vrimën e letrave.
Duke dhënë dënimin, gjykatësi Michael Heath, tha: “Ky rast dëshmon për një shqetësim të gjerë publik. Nëse dikush dënohet në këtë vend për krime të rënda ata edhe nëse lirohen monitorohen për gati gjithë jetën. Por kjo nuk ndodh kur këto krime i kanë kryer në vendet e origjinës dhe lejohen të vijnë në Angli pa pengesa për të jetuar pa u monitoruar”.
33 vjeçari Michael Podlaszczyk, u zbulua se ishte dënuar në Poloni me 12 vjet burg, vetëm pasi përdhunoi e grabiti një grua në Leicester në veri të Londrës.
Në një rast tragjik, Arnis Zalkalns vrau brutalisht minorenen Alice Goss në Londër në 2014 pasi kishte ardhur në Britani edhe pse ishte dënuar për vrasjen e gruas së tij në vendin e origjinës, Letoni.
Ministria e brendshme britanike tha pwr ceshtjen: “Ata që aplikojnë për vizë në Britani u kërkohet të deklarojnë nëse janë dënuar për krime dhe më pas supozohet të kontrollohen nga policia britanike për saktësinë e informacioneve”.
“Nëse kanë shkelje kriminale mund të refuzohen, ashtu si dhe shkelje të tjera të përsëritura”, shtojnë zyrtarët, sipas rrjetit vendas Daily Mail.
Edhe agjencia e emigracionit tha se “Britani ka mekanizma të organizuara për këmbimin e informacionit me vende të tjera, për gjurmimin e hetimeve kriminale dhe mbrojtjen e komuniteteve”. Por të dhënat tregojnë për rritje të vazhdueshme e të pashpjeguar të emigracionit legal e ilegal, si dhe krime të rënda të kryera nga kjo kategori që nuk duket se janë ndjekur apo hetuar nga zyrtarët.
Top Channel