Izraeli i është rikthyer bombardimeve në Liban, duke shënjestruar këtë herë periferitë jugore të kryeqytetit të vendit, Bejrut.

Sulmet e shtetit hebre shembën ndërtesa të tëra në zonë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Lagjet atje megjithatë janë kryesisht të braktisura, sepse shumica e banorëve janë larguar gjatë javëve të fundit. Tre persona sakaq u vranë të premten e 30 të tjerë u plagosën në sulmin ajror izraelit në Tyre, një qytet-port në jug. Nuk pati asnjë paralajmërim evakuimi të lëshuar nga ushtria izraelite, e cila tha se kishte në shënjestër “komplekset e zbulimit, komandës dhe kontrollit” të organizatës Hezbollah.

Izraeli njoftoi më herët se do të hapte një pikë të re të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, mes trysnisë në rritje të Shteteve të Bashkuara për të marrë më shumë ndihma për palestinezët, që po përballen me mungesën e ushqimit dhe strehimit që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas.

Se kur do të hapet saktësisht vendkalimi i ri i Kussifimit, kjo nuk është bërë e ditur ende. Kissufimi është një pikë e vogël kufitare në Gazën jugore pranë vendbanimit me po këtë emër, që ishte një nga vendet e sulmuara nga Hamasi në sulmin terrorist më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit që solli dhe shpagimin e përgjakshëm të tij.

Pas sulmit të Hamasit që mori 1200 jetë njerëzish, kundërofensiva e Izraelit në Gazë ka vrarë mbi 43,000 persona, sipas ministrisë së shëndetësisë të këtij territori, e cila nuk bën dallimin ndërmjet luftëtarëve dhe civilëve në përllogaritjet e saj. Hamasi në Gazë dhe Hezbollahu në Liban janë cilësuar si grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA