Irani u përpoq të mos i kushtonte publikisht vëmendje zgjedhjeve presidenciale në SHBA, duke i cilësuar si të parëndësishme për të.
Por ekspertët mendojnë se në të vërtetë, me regjimin e ajatollahëve ka ndodhur e kundërta. Fitorja e ish-presidentit Donald Trump më 5 nëntor mund të ketë sipas tyre pasoja të mëdha për Republikën islamike. Gjatë mandatit të parë presidencial, Trump e rriti presionin ndaj Iranit, për shkak të programeve të tij bërthamore dhe raketore, dhe vendosi sanksione gjithëpërfshirëse kundër tij.
Farzan Sabet, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin e Gjenevës IHEID shprehet se Irani duhet të mendojë për ndryshime radikale në politikën e tij të jashtme dhe sigurinë kombëtare… në mënyrë që t’i shmangë krizat më të mëdha që mund të vijnë si pasojë e presidencës së dytë të Trumpit”, i cili e pati tërhequr SHBA-në nga një marrëveshje bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, rivendosi sanksionet ekonomike ndaj Iranit dhe urdhëroi vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Qassem Soleimani. Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë një politikë të “presionit maksimal 2.0”, shprehet Sabet, duke shtuar se qëllimi mund të jetë “frenimi dhe dobësimi i regjimit”.
Sipas tij, Trump mund të përpiqet të krijojë një lloj politike afatgjate ndaj Iranit, që do të ishte vështirë të zhbëhej edhe nga administratat e ardhshme amerikane. Pikërisht njeriu që mbikëqyri fushatën e “presionit maksimal” të administratës së Trumpit ndaj Iranit, Brian Hook, pritet ta drejtojë ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur në Departamentin e Shtetit. Mediat amerikane raportuan se Hook mund të konsiderohet edhe për rolin e sekretarit të Shtetit. Gjatë fushatës, Trump dërgoi mesazhe të përziera për Iranin. Ai kërcënoi se do ta shkatërronte atë, por gjithashtu tha se ishte i hapur për bisedime me të.
Top Channel