Emri/ U paraqit në ASHK si prokuror i SPAK-ut, për të marrë aktet origjinale të dosjeve, vihet në pranga 48-vjeçari

07/11/2024 11:04

Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi u paraqit në ASHK Berat dhe Skrapar, si prokuror i SPAK-ut, për të marrë aktet origjinale të dosjeve që Prokuroria e Beratit kishte në hetim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të marra se një shtetas përvetësonte shuma parash, nëpërmjet mashtrimit, organizuan punën në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për arrestimin e këtij shtetasi dhe dokumentimin e rasteve.

Alban Muço, 48 vjeç banues në Tiranë akuzohet për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ai ka përfituar shuma parash nga disa qytetarë, duke i mashtruar se ishte prokuror në SPAK dhe do të ndërhynte për zgjidhjen e çështjeve të tyre.

Gjithashtu, ky shtetas është prezantuar me të njëjtën detyrë, pranë ASHK Berat dhe Skrapar, dhe ka kërkuar dosje specifike të çështjeve që ishin në hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Po hetohet qëllimi i kërkimit të këtij dokumentacioni nga 48-vjeçari, në mënyrë që të bëhet dokumentimi i plotë i rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA