Biden bën paqe? Uron Trump për fitoren, e fton për takim në Shtëpinë e Bardhë

07/11/2024 08:57

Presidenti Joe Biden telefonoi Presidentin e zgjedhur Donald Trump për t’i uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe e ftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë tha nëpërmjet një deklaratë se pas fitores së zotit Trump, presidenti Biden gjithashtu u angazhua “për të siguruar një tranzicion të qetë dhe theksoi rëndësinë për të bashkuar vendin”.

Po sipas deklaratës, presidenti Biden ka folur gjithashtu me kandidaten demokrate Kamala Harris. Zoti Biden do t’i drejtohet kombit të enjten në orën 11:00, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Kamala Harris tha të mërkurën se “duhet të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve” pasi inkurajoi mbështetësit që të vazhdojnë të luftojnë për vizionin për vendin pas humbjes ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Nënpresidentja demokrate tha se beteja do të vazhdojë “në kutitë e votimit, në gjykata dhe në sferën publike”.

Para fjalimit të saj, Kamala Harris telefonoi Presidentin e zgjedhur Donald Trump të mërkurën për të pranuar humbjen në garën presidenciale dhe për ta uruar atë për fitoren, sipas një këshilltari të lartë të nënpresidentes. Këshilltari, i cili nuk pranoi të identifikohej në mënyrë që të diskutonte për një bisedë private, tha se zonja Harris foli për nevojën për një transferim paqësor të pushtetit.

Zonja Harris u bë kandidatja demokrate pasi zoti Biden pati një paraqitje të dobët në debatin presidencial të 27 qershorit përballë ish-Presidentit Trump. Ai u tërhoq nga gara më 21 korrik dhe mbështeti nënpresidenten e tij e cila bashkoi me shpejtësi Partinë Demokratike rreth kandidaturës së saj./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA