Bënë simbolin e shqiponjës me duar, Serbia dëbon dy zviceranët: Provokim nacionalist

07/11/2024 18:37

Serbia ka dëbuar dy shtetas zviceranë, pasi një gjykatë ua anuloi dënimin me burgim, për shkak se ata kishin bërë me duar shqiponjën, një gjest që sipas prokurorëve serbë, shihet si simbol për “Shqipërinë e Madhe”.

Ky simbol është referencë për shqiponjën dykrenore që gjendet në flamurin e Shqipërisë dhe po ashtu përdoret nga shqiptarët në mbarë botën, përfshirë në Kosovë, pavarësinë e së cilës Serbia refuzon ta njohë.

Autoritetet serbe e cilësojnë këtë gjest si provokim nacionalist. Dëbimi i B.C, dhe G.V. u bë pas marrëveshjes që ata arritën me prokurorinë serbe.

“B.C. ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare dhe jotolerancës duke asistuar, teksa ka fotografuar G.V., i cili bëri me duar shqiponjën dykrenore”, u tha në njoftimin e autoriteteve serbe.

G.V., ishte dënuar me një vit burgim, ndërkaq B.C. me gjashtë muaj burgim. Por, pas marrëveshjes me prokurorinë, dënimet e tyre janë anuluar.

Sipas vendimit, të dy shtetasit e Zvicrës nuk do të kenë të drejtë të shkojnë në Serbi për dhjetë vjet. Edhe në të kaluarën, Serbia kishte reaguar ashpër ndaj bërjes së simbolit të shqiponjës.

Futbollisti zviceran, Granit Xhaka, i cili me prejardhje nga Kosova, e ka bërë me duar shqiponjën pas golit të shënuar nga ekipi i tij. Më pas bashkëlojtari i tij, Xherdan Shaqiri, po ashtu me prejardhje nga Kosova, e ka bërë këtë simbol në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë në Kupën e Botës më 2018.

Ata janë gjobitur nga autoriteti botëror i futbollit, ndërsa festimi i golave në këtë mënyrë nga futbollistët me prejardhje nga Kosova, ka shkaktuar zemërim të madh në Serbi./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA