Një 21-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e së hënës në Tiranë, pasi ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Shtetasi me iniciale A.Ll., banues në Sarandë u arrestua në afërsi të stadiumit “Dinamo” në kryeqytet.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Around”, nga Seksioni për Operacionet Speciale në DVP Tiranë.
Kapet dhe arrestohet një shtetas i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Shërbimet e Seksionit për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Around”.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të stadiumit “Dinamo”, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi A. Ll., 21 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel