Partia Demokratike e Shqipërisë në një deklaratë pas masakrës në Shkodër ku humbën jetën katër persona, ka propozuar sërish ngritjen e një Komisioni Parlamentar të së vërtetës.
Ky komision, sipas tyre, do të zbulojë lidhjet e qeverisë me krimin, ndërsa kanë kërkuar edhe njëherë qeveri teknike.
Deklarata e PD
Masakra e Shkodrës, me tri viktima, është përmbyllur dje me vdekjen nga plagët e marra të Bashkim Bashës, bashkëshort i Fluturës që mbeti e vrarë më 30 tetor.
Partia Demokratike i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Basha në këtë tragjedi të dyfishtë.
Gjaku i katër të vrarëve në lagjen Dobraç duhet të rëndojë mbi shkaktarët e vërtetë, pushtetin e inkriminuar të Edi Ramës, që mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me bandat.
Terrori i 30 tetorit, kundër të cilit opozita dhe qytetarët e Shkodrës organizuan marshimin e protestës më 2 nëntor, i ka rrënjët pikërisht te leja që pushteti u jep bandave për të vepruar të lira, pasi narko-kriminelët e kanë ndihmuar të rrëmbejë zgjedhjet.
Pas vjedhjes të zgjedhjeve bandat kërkojnë edhe sigurinë, jetën, qetësinë dhe rendin e Shkodrës dhe të Shqipërisë e qytetarëve shqiptarë.
Partia Demokratike qëndron fort pas propozimit për Komisionin Parlamentar të së Vërtetës. Vetëm duke zbuluar dhe dënuar lidhjet qeveri-polici-drejtësi-krim rrethi i vdekjes dhe terrorit do të ndalet.
Të pafajshmit e Shkodrës, dhe viktima të tjera atentatesh në të gjithë vendin, duhen rehabilituar, më së pari duke zbuluar dhe dënuar fajtorët.
Së dyti, duke siguruar se nuk ka amnisti për ata që kanë ua kanë shitur partnerëve në krim rendin dhe sigurinë publike, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin.
Pa një qeveri teknike asnjanëse, kjo amnisi nuk do të ndalet sepse do të vazhdojë përdorimi i bandave në zgjedhje dhe më pas dëmshpërblimi i tyre me territore dhe liri lëvizje e veprimi.
Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.
Top Channel