Rreth orës 14.00 të kësaj të premteje, autoritetet ligjzbatuese në port janë ngjitur në bordin e anijes për të kryer procedurat standarde duke realizuar kështu dhe kontaktin e parë të drejtpërdrejtë me kapitenin dhe ekuipazhin e anijes.
Që nga mëngjesi i së hënës, anija turke që mban mbetje të dyshuara si toksike në 102 konteinerë vazhdon të qëndrojë në ujërat e radës së jashtme të portit të Durrësit, pasi ende nuk është gjetur një vend i përshtatshëm për depozitimin e tyre. Institucionet përgjegjëse deri tani nuk kanë ofruar një zgjidhje, duke shkaktuar shqetësim për ndikimin e mundshëm të mbetjeve në mjedis dhe shëndetin publik. Pas debateve dhe në Kuvend mbi çështjen e anijes, Autoriteti Portual përmes një deklarate njoftoi se po punohet për të siguruar një venddepozitim dhe një zgjidhje të qëndrueshme për mbetjet.
“Në lidhje me anijen tregtare “Moliva”, ka një Urdhër Ekzekutimi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm për të cilin Autoriteti Portual Durrës, bashkë me organet ligjzbatuese dhe institucionet që kanë lidhje me zbatimin e këtij urdhri janë duke bashkërenduar punën për përgatitjen e një vendi depozitimi të përshtatshëm sa i përket kushteve të sigurisë mjedisore si dhe asaj fizike, ku do të depozitohen 102 njësitë kontejnerike”, thotë në njoftim Autoriteti Portual Durrës.
Top Channel