Emisioni Fiks Fare ka transmetuar mbrëmjen e të premtes një ankesë të referuar për mos përfundimin në kohë të shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari” në Babrru.
Investimi prej 492 milion lekësh ka ngelur pezull, pasi ka patur vonesa në tenderin që është hapur për mobilimin e shkollës. Për këtë arsye ajo nuk inagurohet. Në këto kushte 600 nxënësit e saj prej më shumë se dy vitesh po vijojnë mësimin në një shkollë tjetër e cila ndodhet në Paskuqan.
Çdo ditë këta fëmijë udhëtojnë më autobusin e shkollës drejt gjimnazit “ Isa Boletini” në Paskuqan, ku zhvillojnë mësimin pas orës 13:00 , pra turn i dytë.
Qytetarja shpreh për Fiksin se projekti i ndërtimit të shkollës ishte parashikuar që të përfundonte në shtator 2024, ku dhe fëmijët do të riktheheshin në shkollën e tyre për vitin e ri shkollor. Kjo gjë nuk ka ndodhur për arsye të mos mobilimit të shkollës në kohën që ishte parashikuar.
Prindi i shqetësuar tregon se fëmijët e tyre nuk po arrijnë që t’i bëjnë orët e plota duke qenë se janë turn i dytë në shkollën ku i kanë zhvendosur dhe se frika e tyre më e madhe është se hapja e shkollës mund të shtyhet përsëri. Ky i fundit tregon se ka bërë dhe kërkesë në Bashkinë Kamëz dhe ZVA Kamëz dhe se ju është thënë se afati i fundit për hapjen e shkollës do të jetë më 15 tetor, gjë e cila nuk u bë.
Për të verifikuar ankesën që prindi referoi në redaksinë e emisionit Fiks Fare, gazetarët e Fiksit bënë disa vëzhgime pranë ambienteve të shkollës. Ku arritën të faktonin me zë dhe figurë biseda me prindërit të cilët e pohojnë se kjo gjë është kthyer në një problem dhe se shkolla nuk po hapet për shkak se nuk është mobiluar akoma.
Gazetarët e Fiskit kërkuan një informacion dhe pranë Bashkisë Kamëz.
Zv.Kryetarja e kësaj Bashkie, znj. Rebeka Sulejmani në intervistë për Fiksin tregon se nga ana e bashkisë janë bërë të gjithë procedurat e duhura.
Ajo shpreh se çdo gjë është përfunduar dhe shkolla është gati. Kjo e fundit tregon se inagurimi i kësaj shkolle nuk është bërë si pasoje e mos mobilimit në kohë të shkollës. Ajo tregon se shkolla nuk ka filluar të mobilohet dhe kjo jo për fajin e bashkisë.
Znj.Sulejmani tregon se Bashkia Kamëz ka shpallur fitues një nga operatorët i cili ka ofruar cilësinë më të mirë dhe një çmim më të arsyeshëm krahasuar me operatorët e tjerë. Znj Sulejmani tregon se problemi ka nisur kur është bërë shpallja e operatorit i cili ka fituar tenderin për mobilimin e shkollës, pasi një nga operatorët e tjerë ka apeluar dhe për momentin kjo çështje është në KPP.
Kjo e fundit shpreh se janë në pritje të përgjigjes që do japë komisioni dhe se deri në atë moment Bashkia Kamëz nuk ka asgjë në dorë.
Top Channel