“Mungesa e opozitës, problem”/ Përplasjet në Parlament, Gonzato: Opozita të angazhohet, qeveria të jetë gjithëpërfshirëse

30/10/2024 20:56

Gjatë intervistës për Top Channel, ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato tregon edhe bisedat me opozitën dhe maxhorancën.

“Mungesa e opozitës është vërtet problem. Dhe kjo është diçka që e kam diskutuar disa herë, edhe me disa përfaqësues të opozitës. I kam thënë edhe qeverisë se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, thotë diplomati i Brukselit.

Gazetari Muhamed Veliu: Pas disa muajsh bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe opozitës, sërish parlamenti ka hyrë në një kapitull të ri problemesh. Situata aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, mendoni se ka pasoja në procesin e integrimit në BE?

Ambasadori Silvio Gonzato: Arsyeja pse i lejova vetes të komentoja për marrëdhëniet mes forcave politike në Shqipëri është pikërisht kjo. Sepse procesi i anëtarësimit, siç e them shumë shpesh, nuk është një proces teknokratik. Nuk është diçka që negociohet nga ekspertët në Bruksel. Është një ndryshim shoqëror. Kërkon realisht reforma thelbësore. Kjo është arsyeja pse e quajmë këtë grup kapitujsh “themeloret”, sepse ka të bëjë vërtet me themelet e shoqërisë. Dhe për mua, por jo vetëm për mua, për Brukselin, është e rëndësishme që kur diskutoni për këto reforma të gjitha pikëpamjet të përfaqësohen, të gjitha pikëpamjet të diskutohen në tryezë.

Pra, mungesa e opozitës është vërtet problem. Dhe kjo është diçka që e kam diskutuar disa herë, edhe me disa përfaqësues të opozitës, duke u bërë thirrje që të angazhohen dhe të jenë pjesë e diskutimit, sepse duhet t’i kemi. I kam thënë edhe qeverisë se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Ata duhet të sigurohen që ky proces të jetë në pronësi jo vetëm të qeverisë apo të shumicës, por të të gjithëve, të të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë civile, biznesit dhe gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA