“Duam paqe”, në Teheran rritet frika pas sulmeve të Izraelit, banorët rrëfejnë momentet e tmerrshme: Pasojat i vuajmë ne

26/10/2024 12:00

Sulmet izraelite ndaj disa baza ushtarake në Teheran e kanë bërë më të prekshme për banorët e kryeqytetit Iranian frikën e shpërthimit të një lufte të një lufte në shkallë të gjerë, e cila të përfshijë të gjithë rajonin.

Shumica e të intervistuarve treguan në fakt, ata nuk e duan luftën.

“U shqetësuam vërtet, edhe pse menduam se në fakt, incidenti nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me ne. Unë isha duke punuar në turnin e natës dhe në vendin e punës dëgjuam zhurmën e një shpërthimi, ishte si gjëmim topi. Jehoi në të gjithë qiellin, një tingull i tmerrshëm. Frika jonë është se shtrirja e konfliktit në Lindjen e Mesme do të na tërheqë edhe neve. Por përse të mos jetojmë në paqe? Përse të mos mundemi të jetojmë të qetë e të lumtur?”, tha një banor.

“Lufta është e frikshme. Të gjithë i druhen asaj që ndodh gjatë një lufte. Dëmet e konfliktit i prekin të gjithë, megjithatë unë shpresoj që në Iran nuk do të ndodhë një luftë e tmerrshme”, tha një banore.

“Nëse ata sulmojnë, pasojat do t’i vuajmë ne, njerëzit e thjeshtë, punëtorët e thjeshtë”, u shpreh një tjetër.

Ushtria iraniane pohoi se sulmet izraelite kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran dhe shkaktuan “dëme të kufizuara”, por pa dhënë detaje. Fillimisht, objektet bërthamore dhe rezervat e naftës ishin parë si shënjestra të mundshme për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, por në mes të tetorit administrata e Presidentit Biden njoftoi se besonte se kishte marrë garanci nga Izraeli se nuk do të godiste objektiva të tilla, çka do të përbënte edhe një përshkallëzim më të rëndë të gjendjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA