Të shtrira në shtrat në rrezik për jetën, si mund të ndihmoni Leandrën dhe Melisën e vogël (Linku)

25/10/2024 23:40

Për Shqiptarët/ Ky është linku i Gofundme për Leandrën dhe Melisën e vogël, të cilat ndodhen të shtruara në spital në rrezik për jetën.

https://www.gofundme.com/f/te-shpetojme-jeten-e-leandres-7-vjecare-me-leucemi

Historia e Leandrës:

Qetësia e shtëpisë ndryshoi kur Leandra po ankohej se ndihej e pafuqishme dhe donte vetëm të flinte. I kërkonte mamasë ta mbulonte sepse vetë ndjente se nuk mund të lëvizte as duart. Energjia që kishte dikur po I shteronte nga pak çdo ditë. Leandra ishte një fëmijë I mbarë, e qeshur dhe shumë e dashur. Ishte vetëm 8 vjeç, por zgjuarsia e përgjegjëshmëria e saj i tejkalonin vitet që mbante. Ajo ndihmonte mamanë me punët dhe ishte gjithmonë e vëmendshme për vëllain dhe motrën e vogël.

Shqetësimet u shtuan 10 ditë më parë, kur Leandra e vogël pati temperaturë shumë të lartë e cila nuk po I ulej.

Thonë se zemra e një nëne e parandien kur fëmija është në rrezik, e zemra e Xhoanës e ndjeu se vajza e saj kishte diçka.

Morën makinën nga një i afërmi i tyre dhe e sollën me urgjencë në spitalin e Tiranës. Bashkë me ta erdhi edhe gjyshja e Leandrës e cila nuk donte t’i linte vetëm.

Pas të gjitha kontrolleve, Leandra u diagnostikua me leucemi.

Ata kanë 10 ditë që qëndrojnë në spital. Vajza është në gjendje të keqe dhe doktorët I kanë thënë se duhet të shkojë sa më shpejt për kurim jashtë, por Xhoana dhe Marigleni nuk I kanë mundësitë. Me punën që Marigleni ka bërë deri tani, me zor ia kanë dalë të kenë ushqim në shtëpi, e kjo ishte një kërkesë përtej mundësive të tyre. Ndihen të pafuqishëm sepse nuk I kanë lekët për të shpëtuar jetën e Leandrës së tyre të vogël. Ndihen të pafuqishëm të rrinë afër vajzës e ta shohin në atë gjendje, të shtruar në spital e ata që nuk mund të bëjnë dot asgjë. Leandra ka 10 ditë që është e shtruar në spital e çdo ditë e pyet mamanë: ‘çfarë bëjmë këtu mami? Hajde ikim në shtëpi se më ka marrë malli për motrën.”

Kur infermieret futen në dhomë ajo e di se ato do vijnë për t’i bërë gjilpëra të tjera e për t’i shpuar krahët me vendosjen e vigonave, por krahët e saj të vegjël janë nxirë dhe nuk ka më forcë që të durojë. është e pafuqishme që të bërtasë por me zërin e mekur iu thotë: ‘Teta të lutem mos m’i vendos më se më dhembin…”.

Prej 10 ditësh, prindërit e Leandrës dhe gjyshja e tyre jetojnë në ambientet e spitalit.

Gjyshja e Leandrës ka 10 ditë që fle në makinë. Ajo refuzon të kthehet në shtëpi pa mbesën. Thotë se duhet të jetë këtu në rast se duhet t’i japë lamtumirën e fundit…

Ndërsa babai i Leandrës fle në lulishte, pranë dhomës së vajzës…

Kanë 10 ditë që qajnë, 10 ditë që më shumë kanë ndenjur pa ngrënë e 10 ditë që nuk kanë vënë sy në gjumë nga meraku. Kanë frikë se kur të zgjohen do marrin lajmin që asnjë nuk e thotë me zë, por në shpirt të gjithë e ndjejnë se rrezikon të ndodhë në çdo moment.

Fëmijët e vegjël i kanë lënë në kujdesin e gjyshit. Ai i çon në shkollë, i merr, iu gatuan, kujdeset për ta sepse nuk kanë asnjë njeri tjetër.

Xhoana mes lotësh na ka rrëfyer se familja e saj ka qenë gjithmonë bashkë, nuk janë ndarë kurrë nga njëri tjetri, por tani familja është përçarë.

Po iu helmohet zemra me çdo ditë që kalon…

Ata luten e shpresojnë për një mrekulli. E vetmja gjë që duan është të kthejnë Leandrën në shtëpi – aty ku vëllai dhe motra e presin, aty ku nuk njeh dhimbje por vetëm shërim, aty ku mund të jenë të gjithë bashkë sërisht.

Historia e Melisës

Rexhepi është sot 43 vjeç. Ka lindur dhe është rritur në Ish Novoselë pranë komunës Malishevë të Kosovës. U rrit në një familje të madhe me 4 vëllezër e dy motra. Në moshën 16 vjeçare humbet të atin.

Pas të atit familja tronditet edhe prej humbjes së 2 vëllezërve.

Rexhepi ishte më i madhi prej djemve dhe përgjegjësia e familjes i ka kaluar atij dhe nënës, por pas plagosjes së saj në luftë i vetmi që mundej të punonte ishte Rexhepi.

Pas kaq shumë humbjesh, jeta do fillonte t’i dukej më e bukur 20 vite më parë kur njohu Valentinën, që u bë më pas bashkëshorja e tij me të cilën do të ndërtonte familjen e shumë dëshiruar.

Bën fejesën e dasmën sipas gjithë traditave shqiptare.

2 vjet pas martese erdhi në jetë djali që e quajtën Getoar dhe është sot 17 vjeç, 3 vite më vonë djali i dytë Sherifi e për të voglën e shtëpisë e lezetin e familjës iu desh të prisnin plot 10 vjet.

4 vite më parë lindi Melisa, bekim i madh për prindërit të bëheshin me një vajzë qe e kishin dëshiruar aq shumë.

Melisa u rrit me dashurinë e madhe të vëllezërve, me përkujdesin e gjyshes dhe prindërve.

Si më e vogla e shtëpisë gjithë vëmendja ishte tek ajo. Për çdo lëvizje që bënte, për çdo fjalë që fliste, për hapat e parë që do hidhte e sigurisht për shqetësimin më të vogël që mund të kishte.

Rreth 2 vite më parë, kur Melisa ishte 2 vjeç, prindërit e dërgojnë në spital sepse kollitej e ndihej e pafuqishme. Mjekët i thonë se është ftohje, se i duhet të qëndroj 5-7 ditë në spital e më pas çdo gjë do të rregullohet.

Por ky do të ishte vetëm fillimi, fillimi i një spove që ende si është gjetur fundi.

Në spital me të bijën qëndronte Valentina, teksa Rexhepi vazhdonte punën si roje sigurie në komunë. Papritmas një telefonatë e të shoqes i trazon shpirtin. Ishte dita e 5 e qëndrimit në spital, kur Valentina i thotë Rexhepit se duhet të kthehej sa më shpejt sepse vajza nuk ishte mirë.

Rexhepit i dukej e pabesueshme, sepse pak orë më parë e kishte vizituar e vajza dukej  mirë. Me këmbët që i dridheshin shkon menjëherë në spital dhe aty mëson se e bija kishte hemoragji të gjithëanshme. I tronditur pyet mjekët se përse, por askush nuk dintë t’i jepte shpjegim.

Për gati 4 muaj, Melisën e vogël e ka vizituar çdo mjek e çdo spital i mundshëm; shtetëror e privat dhe askush si jepte dot zgjidhje se nga rridhte ky gjak që dilte nga trupi i vajzës së tyre.

Në 4 muaj e vogla nga 6 kilogram, u shëndrrua në një fëmijë vetëm 3 kilogramë. Përveç prindërve që rrinin çdo ditë me të në spital, çdo njëri tjetër që vinte e takonte e kishte gati të pamundur ta njihte, për shkak të transformimit fizik që kishte pësuar.

Ato muaj pritje pa një përgjigje kanë qënë më sfilitësit. Prindërit shikonin njëri-tjetrin, nuk kishin fjalë. Dyshimet shkonin tek më e keqja, se mos vajza kishte tumor, por askush s’ia thoshte tjetrit me zë të lartë. Në shtëpi më djemtë qëndronte gjyshja, që gjithashtu nuk kuptonte se ç’po ndodhte me mbesën.

Vajza kishte kaluar në anemi të thellë, kishte herë pas here nevojë të merrte gjak, e teksa rrinin bashkë koridoreve të spitaleve, Rexhepit dhe Valentinës i dukej e largët koha kur kishin qenë të lumtur.

Të dy si çift kishin patur harmoni përherë, po debatonin vetëm për diçka. Valentina e kritonte Rexhepin se përse ai, disa herë në vit, e për vite më radhe ishte dhurues i rregullt i gjakut për këdo që kishte nevojë.

Jo se Valentina nuk donte që ai ta bënte, por shqetësohej për të shoqin, që herë pas here rëndohej dhe vetë e ndihej i pafuqishëm. Por Rexhepi i thoshte se meqë nuk kam para, e vetmja mënyrë si mund t’i ndihmoj të tjerët është duke dhuruar gjak nga trupi im, për të cilin nuk kam paguar për ta patur, por më ka bekuar Zoti që kam mundësinë ta jap.

E ja ku ishin sot, për ironi të fatit, duke përjetuar atë që se kishin menduar kurrë. Rexhepi do të ishte në spital këtë herë, për të dhuruar gjak për të bijën, e cila kishte nevojë për shumë më shumë se sa mund të dhuronte ai.

Por për të prindërit ishin gati të jepnin dhe jetën, vetëm për të kuptuar çfarë kishte, çfarë e mundonte e s’i mund ta shëronin. Askush se dinte, askush sua thoshte. E vetmja zgjidhje që iu dhanë ishte ta dërgonin jashtë shtetit. E i vetmi shtet ku Kosova mund të shkonte pa viza ishte Turqia.

Ministria e Shëndetësisë miraton një fond për prindërit e rinj që të dërgonin vajzën në Turqi për të mësuar se çfarë kishte.

Do të duheshin plot 30 mijë euro vetëm për të diagnostikuar sëmundjen, e ky ishte vetëm fillimi.

Me mundësitë e pakta ekonomike prindërit kishin vështirësi edhe për të prerë biletat e avionit, por gjithë Malisheva u bë bashkë, për të ndihmuar këtë familje që do të niseshin në një udhetim, pa e ditur se çdo të mësonin.

Udhëtimi ishte i vështirë, vajza kishte hemoragji gjatë rrugës, por këta prindër i mbante vetëm shpresa se më në fund do të mësonin të vertëtën e mund të dinin si ta kuronin. Pas 3 ditësh në Turqi doktori vjen me një përgjigje që ishte e mirë në një anë dhe e keqe në tjetrën.

Asaj të cilës i druheshin, pra një sëmundje malinje si tumori, nuk ekzistonte, por atë që do të dëgjonin më pas nuk e kishin dëgjuar kurrë. Ishte e rrallë, gati 1 në 1 milion dhe quhej varice ezofageale– një zgjerim jo normal i venave, në tubin që lidh fytin me stomakun, të cilat mund të çahen dhe të shkaktojnë hemoragji kërcënuese për jetën.

Mjekimi i vajzës nisi menjëherë, e mjekët i thanë se do duhej të merrte një serum që do të pastronte mbetjet e gjakut në trup, të grumbulluara aty prej muajsh, por kishte rrezik që vajza të kalonte në koma.

Prindërit do të duhej të firmosnin për të dakordësuar.

Rreziku për të kaluar në koma ishte i lartë, por i thanë se ishte i domosdoshëm kurimi. Vajza nisi mjekimin, kaluan 3 ditë dhe ndodhi ajo që prindërit i druheshin më shumë. Në ditën e 4 Melisa kalon në gjendje kome. Në të tilla raste prindërit nuk lejohen të qëndrojnë në spital, por mund të shkojnë në mëngjes e pasdite për të parë vajzën.

Ishin në një shtet të panjohur, në një vend që nuk quhej shtëpi, me një fëmijë që e sollën me duart e tyre dhe që sot nuk iu përgjigjej, e qëndronte e pandërgjegjshme në spital.

Për një javë kanë qëndruar jashtë spitalit, me duart që i shtrëngonin njëri-tjetrit, me ndjenjën e fajit, me shpresën e kurimit, me ankthin për të panjohur dhe me heshtjen e thellë që i bëntë shoqëri.

Derisa 1 javë më pas ajo u zgjua, ishte më mirë, i njohu dhe i buzëqeshi. Rexhepi thotë se fëmijët si Melisa janë të rrallë.

Ajo nuk ankohet kurrë, gjen gjithmonë fuqi të buzëqesh e t’iu falë dashuri.

Pasi kalon rrezikun për jetën, mjekët thonë se më mirë është ta mjekojnë me barna përpara se të bëjnë operacion dhe ashtu veprojnë.

Melisa kthehet në Kosovë 3 muaj më pas dhe u duk sikur gjithçka kaloi. Por lumturia për këtë familje zgjaste shumë pak. Melisa u rikthye në gjendjen fillestare. I duhej të shkonte sërish në Turqi për të kryer të tjera operacione.

Ajo që e trishtonte më shumë Rexhepin me të shoqen ishte se kur niseshin për në Turqi, në spital vinin e takonin gjyshja, vëllezerit e të afërmit pa e ditur nëse do mund ta takonin sërish.

Çdo udhëtim që bënin ne Turqi, se dinin a do ktheheshin dot të 3 bashkë siç ikën, e kjo i brengoste më tepër.

Përtej dhimbjes shpirtërore vështirësitë ekonomike nuk kishin të llogaritur. I ka ndihmuar kushdo që ka patur mundësi e shuma për kurim deri tani i ka kaluar 150 mijë euro. Kanë shkuar mbi 12 herë në spital në Turqi për të kryer mjekime dhe deri më tani 5 operacione të ndryshme.

Prindërit kanë bërë çdo gjë që kanë mundur. Por tani të bijës i duhet të bëj një tjetër operacion e të vazhdojë mjekimet e kurimin. Operacion që është i rëndësishëm për jetën, e prindërit i vret fakti që nuk e kanë mundësinë ta paguajnë.

Deri më tani nuk janë dorëzuar kurrë e kanë kërkuar një dritë shpresë kudo ku kanë mundur. Teksa kanë parë emisionin “Për Shqiptarët”, në shumë prej historive kanë gjetur veten, iu është dukur sikur kanë ndarë dhimbjen, por edhe disi kanë rizgjuar shpresat. Rexhepi thotë se nëse nuk do ishte në vështirësi kaq të madhe, nuk do vinte kurrë, se e di që shumë fëmijë të tjerë kanë nevojë njësoj si Melisa, por prindi për fëmijën do shkojë deri në fund të botës për të kërkuar ndihmë.

Sot është ulur në këtë studio, për t’i krijuar Melisës 4 vjeç mundësinë për të jetuar. Ka vuajtur boll në kaq pak vite jetë që ka jetuar, por Rexhepi e Valentina, gjyshja dhe vëllezërit luten ta kenë përgjatë mes tyre, që ta shohin të luaj me lodra si çdo fëmijë, që ta shohin të qesh, të vrapojë, të shkojë në kopsht e shkollë e të mos e shoh më kurrë derën e spitalit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA