Federata e Futbollit organizoi një mini-turne futbolli me pjesëmarrjen e tre ekipeve të përbëra nga vajza të administratës së FSHF-së, media shqiptare dhe UN Women.
Një nismë e veçantë e ndërmarrë nga FSHF në kuadër të muajit sensibilizues kundër kancerit të gjirit.
“Jam shumë falënderuese për këtë aktivitet që Federata e Futbollit ka ndërmarrë për të organizuar. Është një mesazh që përcillet jo vetëm te vajzat që e duan dhe ndjekin sportin, por te të gjitha gratë. Kanceri i gjirit mund të diagnostikohet në kohë shumë të hershme, të bëjmë vizita, ta kapim në kohë këtë “armik” të përbetuar tonin dhe t’ja dalim me sukses në fund”, u shpreh gazetarja Trevisa Tufa.
Zyrtarja e FSHF-së, Lenida Halilaj tha: “Është në vazhdën e aktiviteteve që ka organizuar Federata për tetorin rozë. Është e rëndësishme të bëjmë kontrollet rutinë që të mund të parandalojmë sëmundjen para se të jemi në një pikë që ajo mund të na marrë dhe jetën, sepse është sëmundje fatale”.
“Duke organizuar evente të tilla që kanë të bëjnë me sportin, ne promovojmë jo vetëm një jetesë të shëndetshme duke bërë sport, por edhe faktin që të gjitha ne duhet të kujdesemi dhe të drejtohemi në pikat shëndetësore dhe të bëjmë vizitat e duhura në mënyrë që ta parandalojmë”, tha Alba Agolli, përfaqësuese e UN Women.
Vajzat të cilat janë pjesë e sportit në të përditshmen tyre në një formë apo në një tjetër, kanë zhvilluar këtë aktivitet me tre ndeshje në “Shtëpinë e Futbollit” duke inicuar kështu një javë të futbollit të femrave me një mesazh mjaft të bukur dhe të fortë për t’i lënë radhën femrave të futbollit të vërtetë, atyre të kombëtares kuqezi të femrave që po vijon përgatitjet në Shkodër për ndeshjen e play off-it përballë Norvegjisë, për Euro 2025.
Ndeshja e parë do të luhet në Shkodër, më 25 tetor në ora 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi” ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet më 29 tetor, në stadiumin “Ullevaal” të Oslos, në ora 19:00.
Top Channel