Ish-deputeti Jurgis Çyrbja ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Posaçme, nën masa të rrepta sigurie.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se ai pritet të njihet me masën “arrest me burg”.

Jurgis Çyrbja dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.

Pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.

Bashkë me të ka rënë në pranga edhe një bashkëpunëtor, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Sipas burimeve, ai ra në pranga nga një dosje tjetër nën hetim, ndërsa Gjykata e Posaçme nxori urdhër arrestin pas masës arrest në burg në mungesë.

Pas kësaj, Policia e Shtetit bashkë me hetues të byrosë zbatuan urdhrin për ish-deputetin e akuzuar për tre veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Mësohet se Jurgis Çyrbja është kapur në Shijak, ndërsa Masha në Rinas.

Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.

Çyrbja gjithashtu akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.

Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.

I kallëzuar prej vitit 2021 nga deputeti Edi Paloka, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA