Zv.Kryeministrja, njëkohësisht ministrja e energjisë dhe infrastrukturës ishte sot në Lezhë, për programin “Infrastruktura Bashkiake V”, një ndërhyrje e rëndësishme në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Me praninë e ambasadorëve, Balluku u shpreh se në “kohët e fundit përfundimin e kemi gjithmonë sipas kontratës” dhe se Ministria dhe gjithë ndërmarrjet e varësisë kanë si synim dorëzimin e secilit projekt para afatit.
“Për të thënë të drejtën kemi zgjedhur këtë vend, këtu në qytetin e Lezhës për të treguar ndryshimin e madh që ka ndodhur. Ndryshimin e madh që ka ndodhur në çdo qendër urbane, në çdo infrastrukturë, jo vetëm urbane, por dhe lokale dhe për të thënë të drejtën një nga elementët më të rëndësishëm që çdo bashki ka është sistemi i furnizimit me ujë dhe ai i kanalizimeve”, tha Balluku.
Ministrja tha se programi Infrastruktura Bashkiake V, i financuar nga qeveria gjermane, ka filluar të zbatohet në vitin 2021 dhe do të shtrihet deri në vitin 2027 dhe ka në fokus padyshim investimet në sektorin e ujësjellës – kanalizimeve në zonat turistike.
“Nëpërmjet këtij programi, është parashikuar të rehabilitohen sistemet e ujësjellës kanalizimeve për qytetet Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë. Gjithashtu synohet të ndërtohen Impiantet e Trajtimit të Ujërave të Ndotura për qytetet Berat, Shkodër, si dhe do të përmirësohet niveli i trajtimit për impiantin e ujërave të ndotura këtu në qytetin e Lezhës”, tha më tej Balluku.
Rehabilitimi i impiantit të ujërave të ndotura është gjithashtu pjesë e këtij programi. Qëllimi i projektit është përmirësimi i situatës së furnizimit me ujë, gjithashtu si dhe rritjen e performancës së shoqërisë rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve në Lezhë.
Top Channel